Rituali i MC Kreshës para çdo koncerti: Dua për shëndet dhe paqe
Reperi i njohur nga Kosova, MC Kresha, një nga figurat më të respektuara të hip-hopit shqiptar, ka ndarë një anë më pak të njohur të vetes në një intervistë të fundit për emisionin “Prive”.
Përtej skenës, famës dhe ritmit të koncerteve, Kresha ka treguar se besimi dhe spiritualiteti janë pjesë thelbësore e jetës së tij. Ai ka folur hapur për lidhjen e tij me fenë dhe për mënyrën se si ajo ndikon në përditshmërinë dhe performancat e tij artistike.
“Unë kam folur shumë herët për këtë pjesë, por tek ne nuk iu intereson shumë njerëzve kjo gjë,” – është shprehur ai me sinqeritet.
Në intervistë, Kresha ka zbuluar edhe një ritual të veçantë që ndjek para çdo daljeje në skenë: një moment lutjeje dhe reflektimi që e ndan me ekipin e tij.
“Secili artist e ka atë anën spirituale të vetën. Ne e bëjmë një dua ku së pari i lutem Zotit për shëndetin, për mundësinë edhe shansin me u kënaq për këtë publik që ka ardhur,” – ka treguar ai.
Por lutja e tij nuk ndalet vetëm te suksesi personal. Ai thekson se më e rëndësishmja është siguria dhe mirëqenia e publikut:
“Në masën më të madhe, i lutem Zotit që gjithçka të kalojë pa asnjë incident, pa asnjë të keqe. Që të gjithë të arrijnë nëpër shtëpitë e veta shëndoshë e rehat.”
Ky mesazh i thjeshtë, por i fuqishëm, është një kujtesë se pas çdo artisti qëndron një njeri me vlera, ndjeshmëri dhe një botë të brendshme që shpesh nuk shihet në dritën e skenës.
Flaka
















