Shkolla në Nerovë me numër kadastre – pritet bartja e pronësisë dhe legalizimi i objektit
Parcela ku ndodhen dy objektet shkollore në fshatin Nerovë të Komunës së Krushevës ka marrë zyrtarisht numër kadastre dhe aktualisht është në proces procedura për bartjen e pronësisë, njofton Televizioni Alsat.
Zyra e Avokatit të Shtetit ka konfirmuar se parcela figuron në Kadastër me numrin 773, duke përfshirë hapësirën dhe objektet ekzistuese të shkollës. Sipas deklaratës për Alsat, është dorëzuar një mendim pozitiv në Qeveri për bartjen e pronësisë në dobi të Komunës së Krushevës.
“Aktualisht është duke u zhvilluar procedura për bartjen e së drejtës së pronësisë së objektit të lartpërmendur në dobi të Komunës së Krushevës, për çka Avokatura e Shtetit e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar mendim pozitiv deri te Qeveria”, thuhet në reagimin zyrtar.
Pas bartjes së pronësisë, parashihet edhe legalizimi i objekteve. Sipas vendimit të Qeverisë të siguruar nga Alsat, ndërtesa figuron me emrin “ndërtesa numër 4”, dhe përfshin hapësira prej 332 m², 13 m², 344 m² dhe 13 m².
Çështja e shkollës në Nerovë mori vëmendje pas denoncimeve nga prindërit, të cilët kishin ndërtuar objektin me vetiniciativë për shkak se objekti i vjetër nuk i përmbushte kushtet minimale për mësim. Fillimisht, ishte paralajmëruar edhe rrënimi i objektit, çka shkaktoi protesta nga prindërit dhe nxënësit. Vetëm pas gati dy viteve presion, Qeveria vendosi të pranojë kërkesën për legalizim dhe hapjen e një paraleleje shtesë.
Pasi të përfundojë bartja e pronësisë në Komunën e Krushevës, ajo do ta transferojë më pas në pronësi shtetërore, duke përmbyllur procedurat ligjore.
Megjithatë, as autoritetet qendrore dhe as ato lokale nuk kanë dhënë garanci se procedurat do të përfundojnë deri në shtator – kohë kur nxënësit duhet të kthehen në bankat e shkollës.
















