Shkolla në Nerovë: Vendimi pas raportit teknik, legalizimi vetëm nëse përmbushen kushtet ligjore
Ekipet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), së bashku me inxhinierë të fushës, kanë vizituar Komunën e Krushevës për të shqyrtuar situatën e krijuar rreth objektit shkollor në fshatin Nerovë, shkruan Flaka. Vizita vjen pas raportimeve për ndërtimin e një objekti shkollor pa leje ndërtimi, i inicuar nga vetë banorët lokalë.
Ministrja Vesna Janevska deklaroi se nuk do të merret asnjë vendim pa u analizuar raporti teknik që do të dorëzohet nga ekipet në terren.
“Më vjen keq për këtë gjendje dhe për faktin që kjo qeveri duhet të zgjidhë probleme që duhej të ishin adresuar shumë më herët. Në vend që të merremi me reforma në arsim, po përballemi me legalizime të objekteve të ndërtuara pa leje,” tha Janevska.
Ajo konfirmoi se mundësia e legalizimit të objektit të ri do të shqyrtohet vetëm nëse përmbushen të gjitha kriteret ligjore dhe administrative.
“Nëse ndërtimi është legal, vlerësoj që mund të bëhet rikonstruksion. Sapo të kem raportin në duar, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Komunën, do të shqyrtojmë mënyrën më të mirë për zgjidhjen e problemit.”
E pyetur për një afat kohor ose vendim përfundimtar, Janevska u shpreh se:
“Ky është një proces i gjatë dhe kompleks, që nuk mund të përfundojë brenda dy ditësh. Megjithatë, prioriteti ynë është të gjejmë zgjidhjen më të mirë për nxënësit dhe komunitetin lokal.”
Situata në Nerovë mbetet e hapur, ndërsa banorët presin vendimin për të ardhmen e institucionit arsimor të fshatit. Flaka Media
















