Shkup, Tetovë, Nerovë – Protestohet për paga, shkollë e dinjitet!
Në dy institucione të ndryshme, por me të njëjtin shqetësim – mungesën e pagave dhe pasigurinë për të ardhmen – punonjës të sektorit publik në Maqedoninë e Veriut po ngrejnë zërin për dinjitet dhe të drejtat e tyre bazike. E në Nerovë, banorët po përballen me një krizë tjetër – atë të arsimit. shkruan Flaka Media
Në Tetovë, rreth 50 infermiere nga gjithsej 140 punonjës të paangazhuar me kontrata të rregullta, protestuan sërish përballë Spitalit Klinik të qytetit. Ato kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për kontratat dhe pagesën e rrogave që mungojnë prej muajsh. Sipas tyre, përveç vështirësive ekonomike, janë duke përjetuar edhe presione dhe kërcënime për të mos protestuar.
“Institucionet po luajnë me jetët tona. Jemi këtu çdo ditë për të shpëtuar jetë, por për veten tonë nuk kemi asnjë garanci. Na thonë jeni të zëvendësueshme, por as zëvendësim nuk ka, as përgjigje,” shprehen të revoltuara infermieret.
Në Shkup, ndërkohë, edhe punonjësit e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve kanë dalë në protesta për të njëjtën arsye – mungesën e pagave prej më shumë se pesë muajsh. Edhe pse janë të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave gjuhësore dhe respektimin e ligjit, vetë janë bërë viktimë e kaosit institucional. Me bllokimin e ndryshimeve ligjore që do ta vendosnin Inspektoratin nën Ministrinë e Drejtësisë dhe do u garantonin statusin dhe pagat, situata është zhytur në krizë të thellë.
Në vend të mbështetjes institucionale, çështja është politizuar dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës po e mbajnë këtë institucion peng.
Një zë i përbashkët: “Paga dhe dinjitet, jo heshtje dhe manipulim.” Ky është mesazhi i qartë që vjen sot nga infermieret në Tetovë dhe nga punonjësit e Inspektoratit në Shkup. Në një shtet që pretendon reforma dhe përparim evropian, mungesa e rrogave për punonjësit publikë nuk është thjesht neglizhencë – është dhunë strukturore.
Nerovë: Prindërit dhe nxënësit mbrojnë shkollën që ndërtuan vetë
Ndërkohë, në fshatin Nerovë të Krushevës, banorët po përballen me një krizë tjetër – atë të arsimit. Shkolla e ndërtuar me mundin e vetë komunitetit, pa leje ndërtimi, rrezikon të mbyllet ose të shembet për shkak të mungesës së legalizimit.
Prindërit, nxënësit dhe mësuesit kanë protestuar publikisht, duke kërkuar nga Ministria e Arsimit që të gjejë një zgjidhje humane dhe afatgjate për një shkollë që nuk është thjesht një objekt, por simbol i përkushtimit dhe nevojës komunitare.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka premtuar shqyrtim të çështjes pasi të dorëzohet raporti teknik nga terreni.
Në pritje të një zgjidhjeje reale, protestat do të vazhdojnë. Në qendër të tyre: njerëzit që mbajnë gjallë sistemin, por që ndihen të harruar prej tij.
Një popull që proteston – një shtet që hesht
Çështje të ndryshme – të përbashkëta vetëm në harresën dhe neglizhencën institucionale. Nga spitalet pa staf të paguar, te inspektorate pa funksionalitet dhe shkolla të ndërtuara nga populli – protestat tregojnë një sistem që po dështon në funksionet e tij më themelore. Motoja e infermiereve nga Tetova – “Na mbani që të mos na qani” – është bërë zëri i të gjithëve. Flaka Media
















