Shqetësime nga Barometri i Korrupsionit: Gjykata, Onkologjia dhe M-NAV në qendër të vëmendjes
Transparensi Interneshënall-Maqedoni publikoi Barometrin e korrupsionit për maj 2024, ku pas monitorimit të rasteve dhe veprimeve lidhur me korrupsionin dhe luftën kundër tij, ngjarjet ndahen në dy kategori: “pastër” dhe “turbullt”, shkruan Flaka
Në ngjarjet e “pastërta” përfshihet shkarkimi i gjyqtarit Enver Bexheti, i cili, së bashku me Artan Grubin, përfundoi në listën e zezë të SHBA-së për dyshime për ryshfet në rastin gjyqësor ndaj Sasho Mijallkovit. Po ashtu, Gjykata Supreme konfirmoi ligjshmërinë e regjistrimit sekret që solli dënimin e farmacistit në Onkologji për marrje ryshfeti ndaj pacientes së ndjerë Minka Veizovska. Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet e Kodit Zgjedhor që rrisnin pragun për nënshkrimet e kandidatëve të pavarur, ndërsa hetimet zbuluan dëm ekonomik prej 1.5 milion denarë në M-NAV nga drejtori dhe një udhëheqës i departamentit.
Në anën tjetër, ngjarjet “turbullta” përfshijnë akuza për terapi që përkeqësuan gjendjen e pacientëve me kancer në Klinikën e Onkologjisë, anulimin e zgjedhjes së Dukovskës për gjyqtare kushtetuese nga Gjykata Administrative, mungesë paanshmërie në negociata, mosdeklarimin e pronësisë nga persona të ekspozuar politikisht, shkelje të të drejtave të njeriut në çështje dokumentesh udhëtimi dhe gjyqësore, keqmenaxhim financiar në digjitalizimin e librave amë me vlerë 8.5 milionë euro, mungesë standardesh për gjelbërim në komunat qendrore, dhe lëshim vërtetimesh me ryshfet për të huajt në qendrën e Shkupit.
Ky raport nënvizon sfidat e mëdha me të cilat përballet Maqedonia në luftën kundër korrupsionit dhe nevojën për përmirësim të vazhdueshëm në institucionet shtetërore për të siguruar drejtësi dhe transparencë për qytetarët. Flaka Media
















