Si ndodhi sulmi mbi kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska?
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është sulmuar fizikisht pasditen e sotme në territorin e Komunës së Çairit, teksa ishte në terren bashkë me ekipin e saj për inspektim të një ndërtese pa leje, njofton portali “Infomax”.
Sipas të njëjtit burim, Arsovska dhe pjesëtarë të ekipit të saj kanë përfunduar në spitalin “8 Shtatori” për shkak të lëndimeve trupore. Ende nuk ka informacione zyrtare mbi gjendjen e tyre shëndetësore dhe nëse bëhet fjalë për lëndime të lehta apo të rënda.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se pas raportimit për incidentin, zyrtarët e policisë nga SPB Shkup kanë ndaluar dy persona, të cilët ndodhen në stacionin policor për intervistim dhe zbardhje të plotë të rastit.
“Pas paraqitjes se kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, është sulmuar fizikisht, policia nga SPB Shkup ka siguruar dy persona. Ata ndodhen në stacion policor, ku po zhvillohet bisedë zyrtare për ndriçimin e ngjarjes,” njoftojnë nga MPB.
Autoritetet po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të këtij incidenti që ka tronditur opinionin publik.
Informacione shtesë pritet të publikohen gjatë orëve në vijim. Flaka
















