Taravari konfirmon: Valbon Limani do të jetë kandidati i ASH për Gostivarin
Nga një tubim në Gostivar, Arben Taravari ka bërë të qartë se Valbon Limani është kandidati zyrtar i partisë për kryetar të Komunës së Gostivarit. Në një tubim me qytetarët e Gostivarit, Taravari i është përgjigjur spekulimeve dhe kundërshtimeve të brendshme, duke lëshuar një mesazh të prerë për të gjithë ata që po përpiqen ta pengojnë këtë kandidaturë, raporton Flaka
“Po ju them nga këtu – Valbon Limani është kandidati. Ai do të jetë kryetari i ri i Gostivarit,” deklaroi me vendosmëri Taravari.
Në të njëjtin tubim, ai sfidoi publikisht dy nga ish-bashkëpunëtorët e tij – ministrat Azir Aliu dhe Arben Fetai – duke i ftuar të provojnë veten në përballje elektorale në zona simbolike për shqiptarët.
“Le të kandidojë njëri në Gostivar e tjetri në Likovë. Nëse ndonjëri merr mbi 1.000 vota, unë tërhiqem nga politika,” tha Taravari, duke vënë në pikëpyetje përkrahjen popullore që ata gëzojnë.
Kryetari i ASH-së nuk harroi të falënderojë deputetët që, sipas tij, qëndruan besnikë ndaj partisë dhe kauzës kombëtare:
“Falënderim vëllazëror për Sadikun, Rijatin dhe Halilin që nuk na tradhtuan, por qëndruan në mbrojtje të kauzës sonë kombëtare.”
Me këtë deklaratë të fortë, Aleanca për Shqiptarët duket se ka hedhur hapin e parë në fushatën lokale në Gostivar, me Valbon Limanin si figurë qendrore dhe simbol të vazhdimësisë politike në këtë bastion të partisë. Flaka
















