Të bëjmë punën për të cilën paguhemi, apel i Ministrit Toshkovski për Arsovskën!
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, reagoi lidhur me thirrjet e kryetares së Komunës së Çairit, Danella Arsovska, për veprime më të ashpra ndaj ndërtimeve pa leje në komunën që ajo drejton, si dhe për kërcënimet që ajo pretendon se ka marrë, shkruan Flaka Media
Toshkovski theksoi se Policia dhe Prokuroria trajtojnë çdo denoncim në mënyrë serioze, pa dallim se kujt i është drejtuar denoncimi. Ai nënvizoi rëndësinë që kryetarët e komunave të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë mandatit, duke kontrolluar dhe sanksionuar ndërtimet e paligjshme sipas ligjit, dhe jo vetëm në periudha zgjedhore.
“Është mirë që secili në Maqedoni të bëjë punën për të cilën merr pagë. Ju gazetarët të parashtroni pyetje, ne politikanët të përgjigjemi, kamermanët të xhirojnë, komunat të kontrollojnë kompetencat e tyre për atë se çfarë është e lejuar me ligj të ndërtohet dhe çfarë nuk është. Është mirë që këtë ta bëjnë gjatë gjithë mandatit, për katër vitet e plota të qeverisjes. Po ashtu, qytetarët në fund të mandatit të vlerësojnë punën që është bërë gjatë katër viteve. Duhet që një herë e përgjithmonë në Maqedoni, secili që merr para nga buxheti, të bëjë punën për të cilën paguhet,” deklaroi Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Ai gjithashtu bëri thirrje për përgjegjshmëri dhe koordinim midis institucioneve për zbatimin efektiv të ligjit për ndërtimet dhe rendin publik.
















