Tragjedi familjare në Maqedoninë e Veriut: Daja vret nipin dhe djalin e tij, më pas vetëvritet!
Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur qytetin e Prilepit të shtunën pasdite, ku një burrë ka vrarë me armë zjarri nipin dhe djalin e tij 11-vjeçar, përpara se të vetëvritej. Tragjedia ndodhi rreth orës 15:00, në një lagje pranë Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale në Prilep, transmeton Flaka
Sipas njoftimit të Prokurorisë Publike në Prilep, e cila ka kryer hetim në vendin e ngjarjes, mësohet se vrasja ka ndodhur në një shtëpi në qendër të Prilepit, ku janë gjetur trupi i pajetë i fëmijës 11 vjeç dhe dy meshkujve të moshës 43 dhe 63 vjeç.
“Sipas informacioneve të para, 63-vjeçari së pari e ka privuar nga jeta nipin e tij nga motra dhe vëllain e tij, për shkak të keqkuptimeve familjare dhe çështjeve pronësore të pazgjidhura. Pas kryerjes së veprës, motivet për veprën e kryer i ka publikuar në një nga rrjetet sociale, kurse më pas është vetëvrarë”; thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori publik ka dhënë urdhër për obduksion të të vdekurve, si dhe për grumbullimin e të gjitha gjurmëve, armëve dhe municionit të gjetur në vendin e ngjarjes të cilat do të jenë lëndë e ekspertizës.
Sipas portalit Infomax, i cili raporton nga vendngjarja, autori i dyshuar kishte ftuar në shtëpi nipin dhe të birin, dhe pas rreth një ore, i kishte qëlluar për vdekje me armë zjarri. Rasti, sipas të njëjtit burim, është denoncuar në polici rreth orës 15:30, por ekipi policor është paraqitur në vendngjarje shtatë orë më vonë, rreth orës 22:30.
Në ato momente ndodhi edhe një incident tjetër serioz, përcjell Flaka. Sipas Infomax, një inspektor i SPB–Prilep ka tentuar të hyjë në shtëpi, por autori i dyshuar e ka kërcënuar me një bombë dore, duke i kërkuar të largohej menjëherë. Polici ka arritur të shmangë përshkallëzimin e situatës duke u tërhequr.
Pas këtij momenti, autori ka aktivizuar një bombë, duke shkaktuar panik në mesin e banorëve përreth. Për shkak të rrezikshmërisë së situatës, SPB–Prilep ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup. Rreth orës 01:30 të mëngjesit të së dielës, një ekip special ka arritur në vendngjarje përmes helikopterit.
Megjithatë, ndërhyrja për neutralizimin e autorit përfundoi pa sukses, pasi në ato momente ai ka kryer vetëvrasje.
Pas përfundimit të dramës, në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e krim-teknikës, Prokurorisë dhe Mjekësisë Ligjore, të cilat kanë nisur ekspertizën për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, transmeton Flaka. Deri më tani nuk dihen motivet që çuan në këtë akt të rëndë. Flaka
















