Uzairi: Nuk ishte Taravari që ndaloi punësimet – vendimi u mor nga qeveria VLEN-VMRO
Sekretari organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzairi, ka reaguar përmes një postimi publik duke sqaruar vendimin e qeverisë së kaluar lidhur me pezullimin e punësimeve dhe procedurave administrative, transmeton Flaka
Sipas Uzairit, më 5 qershor 2024, qeveria e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM mori vendim për pezullimin e konkurseve, kontratave dhe të gjitha procedurave në zhvillim, dhe ky vendim është i dokumentuar zyrtarisht.
Reagimi i tij vjen pas akuzave të disa eksponentëve të VLEN-it dhe ish-bashkëpartiakëve të ASH-së, të cilët kanë pretenduar se Arben Taravari ka qenë përgjegjës për ndërprerjen e punësimeve të shqiptarëve gjatë kohës sa ishte pjesë e qeverisë.
“Faktet janë të qarta: Vendimi për ndërprerjen e punësimeve dhe avancimeve për vitin 2024 është marrë nga vetë qeveria VMRO-VLEN, jo nga individë të veçantë,” – thekson Uzairi, duke shtuar se “shpifjet nuk ndërtojnë besim – vetëm përçarje.”
Ai ka bërë thirrje për respektim të së vërtetës dhe për t’i dhënë fund manipulimeve që dëmtojnë unitetin dhe keqinformojnë opinionin publik. Flaka
















