VLEN: Arsovska në skemë nepotizmi me BDI-në dhe Levicën
Koalicioni VLEN ka ngritur akuza ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, duke e akuzuar për bashkëpunim me BDI-në dhe partinë Levica në një skemë të dyshuar nepotizmi dhe shpërdorimi të fondeve publike.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e VLEN prezantuan dokumente që, sipas tyre, dëshmojnë për kontrata të dyshimta dhe përfitime të paligjshme nga të afërm të zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike të qytetit.
Sipas akuzave, më 25 shkurt 2025, Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale – Shkup” ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 775.000 denarësh (rreth 12.000 euro) me kompaninë “Veda DOOEL”, e cila është në pronësi të Valon Bexhetit, djalit 18-vjeçar të kryetarit të Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti. Objekt i kontratës janë “shërbime intelektuale për mbrojtjen e mjedisit jetësor”, por VLEN thotë se nuk ka asnjë dëshmi për shërbime të kryera.
VLEN publikoi edhe faturën me nr. 73818 të lëshuar nga “Veda DOOEL”, duke pretenduar se është paguar pa asnjë dëshmi për fillim apo përfundim të punës. Sipas tyre, në të njëjtën ditë është lëshuar edhe fatura nr. 73819 në emër të Besar Saqipit, të afërm të ushtruesit të detyrës së drejtorit të NP “Higjiena Komunale”, Sabahudin Rustemi, për një shumë identike dhe për një përshkrim të ngjashëm shërbimi.
“Paratë e qytetarëve të Shkupit po përfundojnë në xhirollogaritë familjare të bashkëpunëtorëve politikë, ndërsa qyteti fundoset në mbeturina dhe papastërti,” deklaroi Jasir Asani nga VLEN.
VLEN ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga:
- Prokuroria Publike, për nisjen e procedurave penale për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim parash,
- Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, për hetim mbi konflikt interesi dhe nepotizëm,
- Ministria e Punëve të Brendshme – Njësia për krim ekonomik, për hetim të pagesave ndaj “Veda DOOEL”.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, as Kryetarja Arsovska dhe as subjektet e përmendura nuk kanë dhënë një reagim zyrtar. Flaka Media
















