VLEN: Derisa opozita po digjet në krizë, kundërthënie dhe mungesë vizioni, ne jemi në terren
Koalicioni VLEN ka bërë të ditur se në kuadër të Planit Operativ për vitin 2025, Qeveria do të angazhojë 400 zjarrfikës të rinj në komunat me rrezikshmëri të lartë nga zjarret, si përgjigje ndaj sfidave që sjell sezoni veror, transmeton Flaka. Kjo masë synon të përforcojë kapacitetet lokale për reagim të shpejtë dhe efikas ndaj emergjencave, me qëllim mbrojtjen e jetës, pasurisë dhe mjedisit.
“Zjarrfikësit janë heronjtë tanë të përditshëm. Me këtë hap, ne jo vetëm që rrisim sigurinë, por japim edhe mbështetje konkrete për punën e tyre heroike,” thekson VLEN në deklaratën e publikuar.
Përveç kësaj, Plani Operativ parasheh edhe punësimin e 600 personave të papunë në kuadër të projekteve lokale për mbrojtjen e mjedisit dhe infrastrukturën komunale. Qëllimi është rritja e punësimit dhe përfshirja e qytetarëve në mirëmbajtjen e një ambienti të pastër dhe të qëndrueshëm.
“Derisa opozita po digjet në krizë, kundërthënie dhe mungesë vizioni, ne jemi në terren, duke parandaluar zjarret në kuptimin e plotë të fjalës. Me veprime të matura, ne po ndërtojmë një shtet funksional dhe të sigurt për të gjithë qytetarët,” thuhet më tej në reagimin e VLEN.
Koalicioni e mbyll deklaratën me zotimin për të mbetur i përkushtuar në ofrimin e zgjidhjeve konkrete që bashkojnë sigurinë, zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve:
“VLEN, sepse puna me përgjegjësi është zotim ndaj qytetarëve!” Flaka Media
















