VLEN: Po e shembim murin e diskriminimit në MPB
Koalicioni VLEN ka publikuar sot një deklaratë të fuqishme lidhur me reformat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku, sipas tyre, po ndodh një “përthyerje historike” në përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“Sot, në MPB, aty ku për vite me radhë shqiptarët ishin vetëm numra pa zë, VLEN po sjell drejtësi dhe përfaqësim real,” thuhet në reagimin e VLEN-it, ku theksohet se deri tani janë punësuar 44 shqiptarë, ndërsa 40 të tjerë janë avancuar në pozita të rëndësishme brenda strukturave të ministrisë.
Sipas VLEN-it, këto nuk janë thjesht shifra, por “shembje e murit të diskriminimit institucional, që u ngrit me përkujdesje nga ata që sot sillen si kujdestarë të interesit kombëtar”.
“Këta janë të njëjtët që për 20 vjet sunduan MPB-në dhe lanë shqiptarët jashtë saj!”, vijon deklarata, duke bërë aluzion të qartë ndaj ish-partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim.
VLEN thotë se është duke “korrigjuar padrejtësitë historike”, duke ndërtuar “një administratë që pasqyron fytyrën reale të këtij vendi”.
“Po u themi qartë: Koha e tyre ka mbaruar! Koha e frikës ka mbaruar! Koha e injorancës institucionale ka marrë fund!”, thuhet në deklaratë me tone të ashpra.
VLEN pozicionohet si alternativë ndaj premtimeve boshe të së kaluarës, duke theksuar se nuk kërkon më, por vendos dhe realizon me punë konkrete.
“VLEN është përgjigjja e shqiptarëve të lodhur nga premtimet boshe! VLEN është alternativa që nuk lyp më, por vendos! VLEN është fuqia që e ka marrë përgjegjësinë dhe po e mban fjalën, me punë, jo me propagandë!”, thuhet në deklaratë.
Në fund, VLEN u drejtohet kritikëve të saj me një mesazh të prerë:
“VLEN nuk luftohet me thashetheme. VLEN nuk ndalet me shpifje. VLEN nuk rrëzohet me statusa. VLEN është populli, dhe kur populli qeveris, pushteti është bekim, jo plaçkë!” Flaka Media
















