Zjarre gjithandej – Qeveria premton, por flakët nuk presin

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Korrik, 2025 21:36

Zjarre gjithandej – Qeveria premton, por flakët nuk presin

Ndërsa vendi po përjeton një tjetër valë zjarresh që kërcënojnë pyje, fshatra dhe infrastrukturë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut del në publik me tone triumfaliste për përgatitjet kundërzjarr. Në kontrast me realitetin në terren, ku flakët përparojnë pa pengesë, autoritetet vazhdojnë të promovojnë pajisje të ripërdorura dhe investime që, siç thonë ata, nuk kanë kushtuar asgjë buxhetit, shkruan Flaka

Zjarri në Bllacë përhapet drejt kufirit dhe pyjeve përreth

Sipas njoftimit të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), të shtunën shpërtheu zjarr i madh përgjatë rrugës që çon në vendkalimin kufitar Bllacë. “Po digjet bar i thatë dhe zjarri po përhapet drejt pyllit,” njoftoi QMK. Situata konsiderohet serioze, pasi zjarri ka marrë hov të madh për shkak të erërave të forta dhe terrenit të thatë.

Në reagim të menjëhershëm, në vendngjarje u angazhuan Brigada e zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, Njësitë Lokale nga Çuçer Sandevë, policia, si dhe NP Karaxhicë. QMK shton se “trafiku në rrugën për në pikën kufitare po devijohet”, ndërkohë që “është aktivizuar një helikopter i Ministrisë së Brendshme për ndërhyrje ajrore”.

Gjithashtu, u konfirmua se drejtori i Qendrës për Menaxhim me Emergjenca, Muhamed Ali, po koordinon operacionin nga terreni. “Pas raportimit të një zjarri në terren të paarritshëm para tunelit, në anën e djathtë të rrugës, Qendra Qendrore për Menaxhim me Emergjenca i dërgoi Ministrisë së Brendshme një kërkesë urgjente për mbështetje ajrore,” thuhet në njoftimin zyrtar të Qendrës.

Zjarre edhe në Prilep, Makedonski Brod dhe Çashkë

QMK informon se deri në orën 13:00 të së shtunës janë regjistruar katër zjarre aktive në sipërfaqe të hapura në territorin e shtetit dhe një i lokalizuar në deponinë në Dellçevë. Vatra të rrezikshme raportohen në:

  • Beshishtë (Prilep) – ku po digjet një pyll i përzier;
  • Prilep (varrezat) – bimësi e ulët është djegur;
  • Creshnevë – Ceropole (Makedonski Brod) – zjarri ka përfshirë pyll lisi të degraduar;
  • Komuna e Çashkës – pa të dhëna të detajuara deri në këtë moment.

Mickoski promovon “epokën e re të gatishmërisë” – realiteti në flakë

Në këtë klimë alarmante, Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë një promovimi në Kampin për trajnim në Pepelishtë, foli për kapacitetet e reja të qeverisë për përballjen me zjarret. Ai tha:

“Bëhet fjalë për automjete të policisë dhe ushtrisë që për më shumë se tetë vjet nuk janë ndezur… Jemi shumë më të përgatitur për sezonin e zjarreve që tashmë është duke u zhvilluar.”

Sipas Mickoskit, automjetet si “BTR-80”, “Hermelin” dhe “Pinzgauer” janë ripërshtatur për të shuar zjarre në terrene të paarritshme dhe janë pajisur me pompa presioni të lartë dhe rezervuarë deri në 6 metër kub ujë. Kryeministri shtoi:

“Në këtë mënyrë mund të them se shteti kursen disa dhjetëra miliona euro… dhe që nuk mund të bëjmë krahasim me të kaluarën.”

Ai theksoi gjithashtu se pritet kthimi nga servisi i avionëve për ndërhyrje, ndërsa janë funksionalë dy helikopterë policorë dhe ushtarakë. Është shpallur edhe konkurs për punësimin e 400 zjarrfikësve të rinj.

Evakuohen pacientët dhe personeli i Bardovcit, zjarr në oborrin e Spitalit Psikiatrik

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza bëjnë të ditur se sot pasdite ka shpërthyer zjarr në lagjen GeGe, i cili është përhapur drejt lagjes Bardovci ku ka kapluar edhe një pjesë të oborrit të Spitalit Psikiatrik. Nga QMK-ja bëjnë të ditur se pacientët dhe stafi janë evakuuar të cilët janë larguar në mënyrë të sigurt jashtë territorit të Spitalit.

“Sot pasdite shpërtheu zjarr në lagjen GeGe, i cili u përhap drejt lagjes Bardovci dhe kaploi pjesë të oborrit të Spitalit Psikiatrik Bardovci, i mbuluar me bar të thatë dhe pemë të larta. Zjarri paraqiste rrezik që të përhapej në të gjithë kompleksin e spitalit.

Menjëherë u ndërmor evakuimi i pacientëve dhe stafit, të cilët u larguan në mënyrë të sigurt jashtë territorit të spitalit”, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Retorika optimiste vs realitetit i djegur

Megjithëse promovimi i kapaciteteve teknike dhe planeve të mobilizimit është për t’u vlerësuar, realiteti në terren përplaset me këtë retorikë të qeverisë. Në vend që të flitet për preventivë, reagimi ndaj zjarreve vijon të jetë i ngadaltë dhe shpesh i pamjaftueshëm.

Helikopteri që ndërhyn në Bllacë, automjetet që lëvizin drejt fshatrave përballë flakëve dhe devijimi i trafikut janë dëshmi se sistemi mbrojtës ende reagon pas shpërthimit të zjarrit, e jo për ta parandaluar atë.

Për më tepër, mbetet e paqartë se si do të funksionojë në praktikë ky sistem i automjeteve të vjetra, të modifikuara nga kompani “me përgjegjësi shoqërore”, të cilat, sipas Mickoskit, “nuk i kushtuan asgjë shtetit”. Pyetja legjitime që shtrohet është: A është serioze të përballesh me krizën e zjarreve me pajisje që nuk janë ndezur për 8 vite dhe që nuk kanë kaluar testime zyrtare të gatishmërisë funksionale për operacione të tilla?

Zjarret nuk ndalen me premtime

Qeveria mund të promovojë çdo ditë automjete, helikopterë dhe kurse trajnimi. Por për qytetarët që përballen me tym, trafik të devijuar dhe frikë për shtëpitë e tyre – nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa veprimi i shpejtë, mbikëqyrja sistematike dhe planifikimi afatgjatë.

Nëse shteti është realisht i përgatitur, zjarret nuk duhet të përparojnë drejt kufirit. Dhe nëse kapacitetet janë moderne, nuk duhet të shohim pamje ku zjarrfikësit përballen me flakët me lopata dhe cisterna të improvizuara.

Shteti ka premtuar shumë. Flakët po vërtetojnë nëse premtimet janë vërtet të qëndrueshme. Për momentin – zjarret nuk po ndalen. Dhe kjo flet më shumë se çdo fjalim qeveritar. Flaka

70
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Korrik, 2025 21:36
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
70
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?