Zjarret në Maqedoninë e Veriut – Rrezik natyror apo skenar i organizuar destabilizimi?
Zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut kanë ngritur një shqetësim të madh publik dhe institucional, pas shpërthimit të një numri të pazakontë zjarresh në një periudhë shumë të shkurtër kohe, veçanërisht në rajonin e Shkupit. Deklarata e Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për mundësinë e një “skenari të organizuar”, ka shtuar dimensionin politik dhe të sigurisë në një situatë që deri më tani mund të perceptohej si krizë mjedisore.
Në këtë kontekst, tema merr një natyrë shumëplanëshe që përfshin aspekte të sigurisë kombëtare, ambientit, ligjshmërisë, migracionit dhe komunikimit me publikun.
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se autoritetet kanë fakte se disa nga zjarret në rajonin e Shkupit janë shkaktuar qëllimisht. Mickoski tha se tashmë ka edhe persona të arrestuar.
“Jo vetëm që dyshojmë, por kemi edhe fakte, kemi edhe persona të ndaluar, që këtë e kanë bërë, posaçërisht në territorin e Shkupit, që Qytetit të Shkupit. Për shkak se zjarri, të themi i fundit që ishte në afërsi të Liqenit të Smillkovës, ishte në mbrëmje, pas orës 21, dhe atë që e gjetëm atje. Kishte edhe tre persona që pastaj u siguruan, tregojnë se ka baza të dyshimit për aksion të koordinuar dhe mirë të menduar, posaçërisht në Shkup”, tha Mickoski.
A janë këto zjarre rezultat i kushteve klimatike, apo diçka më shumë?
Ndërkohë që temperaturat e larta dhe thatësira janë faktorë të njohur për shpërthimin e zjarreve në sezonin veror, përmasat dhe përhapja e tyre në mënyrë simultane, siç ndodhi më 9 korrik, sugjerojnë një model që nuk përjashton ndërhyrjen e qëllimshme njerëzore.
Rasti i tre të miturve të huaj – element kyç në hetim
Zbulimi i tre të miturve të huaj të kapur me benzinë, fishekzjarrë dhe materiale zjarrvënëse, ngre pyetje serioze për prapavijën e mundshme të këtyre ngjarjeve. A ishin ata thjesht akte të papërgjegjshme, apo pjesë e një strukture më të gjerë, të organizuar? Çfarë roli kanë autoritetet lokale dhe ndërkombëtare në ndriçimin e këtij aspekti?
Ministri Toshkovski theksoi se institucionet janë mobilizuar dhe se do të ketë masa të rrepta ndaj çdo individi apo grupi që qëndron pas këtyre akteve. Nëse provohet se kemi të bëjmë me një skenar të organizuar, atëherë do të kërkohen edhe përgjegjësi penale të rënda, përfshirë akuzat për sabotim, vepra kundër rendit publik dhe rrezikim të jetës së qytetarëve.
Në një kontekst rajonal të tensionuar, çdo skenar i mundshëm i zjarrvënies së qëllimshme mund të lidhet edhe me tendenca për destabilizim politik apo ndërhyrje të huaja. Vendi është në një fazë të ndjeshme të procesit euro-integrues, dhe veprime të tilla mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në perceptimin ndërkombëtar për stabilitetin dhe sigurinë e tij.
Deklaratat e qarta dhe veprimet vendimtare të institucioneve janë thelbësore për ruajtjen e besimit publik. MPB, zjarrfikësit, mbrojtja civile dhe shërbimet e inteligjencës duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të zbardhur të vërtetën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Zjarret që kanë përfshirë Maqedoninë e Veriut nuk janë vetëm çështje emergjence mjedisore – ato mund të jenë pasqyrë e sfidave më të mëdha që përfshijnë sigurinë, politikën dhe kohezionin social. Një përgjigje e shpejtë, transparente dhe gjithëpërfshirëse është thelbësore për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme dhe për të ruajtur stabilitetin e brendshëm. Flaka
Lexo rreth lajmit: Shkupi në flakë: Disa të mitur kapen me benzinë, sulme ndaj gazetarëve dhe 28 vatra zjarri
Toshkovski: Kaq shumë zjarre për një ditë, mund të bëhet fjalë për një skenar të organizuar
















