100 krerë bagëti janë mbledhur, por problemi me lopët në Kriva Pallankë vazhdon
Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në Këshillin e Komunës së Kriva Pallankës kërkojnë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, në të cilën do të prezantojnë një plan veprimi për zgjidhjen e problemit akut me tufat e lopëve që lëvizin të pakontrolluara nëpër qytet.
Kryetari i Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së në Kriva Pallankë dhe deputeti, Emil Spasovski, akuzon kryetarin e komunës, Sashko Mitovski, se në vend që të ndërmarrë masa konkrete, organizon konferenca për media dhe përgjegjësinë ua bart institucioneve të tjera.
Spasovski thekson se, në përputhje me kompetencat ligjore, komuna dhe kryetari i saj kanë obligim që bagëtinë e madhe ta largojnë nga hapësirat publike, ta vendosin në një vend të përshtatshëm dhe të kërkojnë përfshirjen e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari për veprimet e mëtejshme.
Sipas Spasovskit, në një takim të mbajtur javën e kaluar në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, kryetarit të komunës i është bërë e ditur se një pjesë e obligimeve janë në kompetencë të vetë komunës.
Ai thekson se problemi zgjat më shumë se dhjetë vjet, ndonëse LSDM-ja ka qenë në pushtet në Kriva Pallankë nga viti 2017 deri në vitin 2024, ndërsa Mitovski është në mandatin e dytë si kryetar komune.
Në seancën e jashtëzakonshme të kërkuar, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do të paraqesin edhe një plan veprimi me aktivitete konkrete që janë në kompetencë të pushtetit lokal.
Spasovski i bëri thirrje kryetarit të Këshillit, Mile Trajkovski, që ta caktojë menjëherë seancën dhe të miratohen masa për zgjidhjen e problemit.
Ai shtoi se deri më tani janë mbledhur rreth 100 krerë bagëti, ndërsa vlerësoi se me iniciativën e propozuar procesi mund të përshpejtohet më tej.
Flaka Media














