Kërkoi 500 euro për të nënshkruar dokumentacionin, arrestohet punonjësi i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim
Një punonjës 63-vjeçar i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) dyshohet se ka kërkuar 500 euro ryshfet në këmbim të nënshkrimit të dokumentacionit për një lëndë ndërtimore, edhe pse dokumentacioni kishte mangësi.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se Njësia për Korrupsion pranë Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër L.J.N. (63) nga Shkupi, për shkak të dyshimit për veprën penale “Marrje ryshfeti”, sipas nenit 357, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas MPB-së, i dyshuari kishte autorizim për të nënshkruar dokumente, për të dhënë mendime dhe për të lëshuar pëlqime lidhur me planet hapësinore dhe urbanistike, si dhe projektet nga aspekti i mbrojtjes dhe shpëtimit. Në kompetencat e tij përfshiheshin edhe elaboratet për mbrojtje nga zjarret, shpërthimet dhe materiet e rrezikshme.
Më 12 nëntor 2026, një person ishte paraqitur në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim për t’u informuar lidhur me procedurën e lëndës së tij, të dorëzuar më herët në Komunën Qendër të Shkupit.
Gjatë takimit, sipas dyshimeve policore, punonjësi i kishte kërkuar 500 euro për ta nënshkruar dokumentacionin, pavarësisht mangësive të konstatuara.
U kap menjëherë pasi mori 500 eurot
Më 17 nëntor, i dyshuari ishte takuar sërish me personin dhe kishte marrë shumën e kërkuar prej 500 eurosh.
Menjëherë pas dorëzimit të parave, në vendngjarje kishin ndërhyrë zyrtarët policorë. Sipas MPB-së, 63-vjeçari kishte tentuar të arratisej, por ishte kapur dhe privuar nga liria.
Gjatë ndërhyrjes, policia kishte gjetur dhe sekuestruar edhe zarfin në të cilin ndodheshin paratë.
Pas masave të ndërmarra, ndaj tij është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup për veprën penale “Marrje ryshfeti”.
I dyshuari prezumohet i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim të formës së prerë gjyqësore.














