Arsovska: “MPB vepron menjëherë vetëm kur të dyshuarit nuk quhen Visar apo Izet”

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Qershor, 2025 17:02

Arsovska: “MPB vepron menjëherë vetëm kur të dyshuarit nuk quhen Visar apo Izet”

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke e akuzuar për standarde të dyfishta dhe veprim selektiv ndaj ndërtimeve të paligjshme.

“Lexoje popull, si vepron MPB menjëherë kur ata që ndërtojnë pa leje nuk quhen Visar apo Izet,”, ka shkruar Arsovska në rrjetet sociale, duke nënkuptuar se institucionet reagojnë vetëm ndaj individëve që nuk janë me partitë në qeveri.

Reagimi i saj erdhi pas njoftimit të MPB-së se Zyra për Çështje Kriminalistike në Delçevë ka ngritur kallëzim penal ndaj një subjekti juridik – një objekt hotelierik dhe dy persona nga Delçeva: B.T. (46), pronare e objektit, për “krijim të rrezikut të përgjithshëm” dhe Z.T. (49) për “ndërtim të paligjshëm”.

Sipas MPB-së, më 24 prill 2025, gjatë një kontrolli të përbashkët me inspektorë të disa institucioneve shtetërore, u konstatua se objekti nuk përmbushte kushtet për mbrojtje nga zjarri dhe se ishte ndërtuar pa leje ndërtimi në periudhën 2018–2019. Përkundër ndalesës për aktivitet 30-ditor, më 1 maj 2025 objekti u kap sërish duke funksionuar në kundërshtim me ligjin.

Deklarata e Arsovskës ka shkaktuar reagime në opinion, pasi ajo sugjeron se MPB-ja po vepron me kritere etnike dhe politike, duke mos ndërmarrë masa të ngjashme në raste kur të dyshuarit janë shqiptarë.

Ky zhvillim ndodh në një klimë të tensionuar politike, ku drejtësia selektive dhe ndërhyrjet në urbanizëm janë bërë çështje qendrore në debatin publik të Maqedonisë së Veriut. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Qershor, 2025 17:02
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media