Strasburgu e zgjoi Maqedoninë: Ndikimi serb, rreziku për shqiptarët dhe kriza e së vërtetës
Nga Redaksia e Flaka
Fundjava që lamë pas ka ekspozuar më qartë se kurrë më parë dy plagët e hapura të shtetit: ndikimin e papërmbajtur të “Botës Serbe” në rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe manipulimin e dhunshëm të së vërtetës statistikore për përfaqësimin e shqiptarëve.
Nga njëra anë, në Strasburg përgatitet të debatohet një draft-rezolutë historike e Parlamentit Evropian, që për herë të parë e përmend me emër projektin destabilizues të “Botës Serbe” si rrezik të qartë dhe të drejtpërdrejtë për sovranitetin e Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, në Shkup shpallet me vetëkënaqësi nisma për një regjistrim digjital më 2026, vetëm disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi për ndarje antikushtetuese të popullsisë në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, praktikë që ka rezultuar në uljen e përqindjes së shqiptarëve në mënyrë të qëllimshme dhe të kalkuluar politikisht.
Këto nuk janë ngjarje të izoluara – janë dy anët e të njëjtës medalje: një strategji sistematike për të rrëshqitur Maqedoninë nga rruga e saj euroatlantike, përmes instrumentalizimit të institucioneve, zhvatjes së mekanizmave demokratikë, dhe minimit të barazisë ndëretnike, të garantuar me gjak dhe marrëveshje ndërkombëtare.
“Bota Serbe” nuk është teori konspirative – është realitet institucional
Draft-rezoluta e eurodeputetit Thomas Waitz nuk është një manifest politik opozitar, por një dokument zyrtar i Bashkimit Evropian, që ngre alarmin për ndikimin e projekteve neo-imperialiste në Maqedoni dhe në Ballkan.
Kur në dokument thuhet se “Bota Serbe po zhvat sovranitetin e Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit”, dhe se ky projekt gëzon përkrahje nga vetë zyrtarë të Qeverisë, atëherë nuk kemi të bëjmë më me aludime, por me një diagnostikë institucionale alarmante.
Kur përmendet emërimi i Ivan Stoilkoviçit – një figurë e njohur për lidhjet me Aleksandar Vulin dhe pjesëmarrjen në evenimente propagandistike në Moskë – si ministër për Marrëdhënie Ndëretnike, kemi të bëjmë me një akt provokues, përçmues ndaj shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve që besojnë në një Maqedoni multietnike dhe demokratike.
Kjo është Bota Serbe në veprim: jo me tanke dhe kufij, por me ministra dhe agjenda.
Regjistrimi i shqiptarëve: nga 29.5% në 24.3% – kush i vodhi njerëzit?
Në këtë sfond tensioni, shfaqet edhe lajmi për një regjistrim të ri digjital në vitin 2026. E paraqitur si një përpjekje për “rikthimin e besimit qytetar”, kjo nismë vjen pikërisht në momentin kur populli shqiptar dhe opinion publik ndërkombëtar e ka kuptuar se regjistrimi i vitit 2021 është përdorur si mjet për t’i zbritur shqiptarët numerikisht.
Nga 29.5% që rezultoi në fillim, sot përmes interpretimeve politike dhe përjashtimit të diasporës, shqiptarët janë “rrëshqitur” në 24.3% – më pak se regjistrimi i vitit 2002. A nuk është kjo një trillim statistik i mirëorganizuar, për të çmontuar parimet e Marrëveshjes së Ohrit, të cilat e kushtëzojnë përfaqësimin institucional me pragjet etnike?
BDI, pavarësisht kritikave legjitime që mund t’i adresohen, ka të drejtë kur thotë se kjo nuk është vetëm çështje teknike apo administrative, por një strategji për të reduktuar politikisht shqiptarët dhe për t’i bërë të padukshëm në strukturat e vendimmarrjes.
Dy paralajmërime që nuk mund të shpërfillen
- Evropa po e thotë me zë të lartë: Maqedonia e Veriut nuk mund të jetë një shtet pro-evropian dhe pro-serb në të njëjtën kohë.
- Shqiptarët nuk do të heshtin: ata nuk do të pranojnë të kthehen në statistika të montuara për interesin e një elite që shet orientimin strategjik të vendit për privilegje personale.
Fjala jonë si redaksi
Si Flaka, ne e shohim detyrë profesionale dhe kombëtare të theksojmë:
Ky vend ka nevojë për një transparencë të plotë, për një debat të thellë publik dhe për një mobilizim qytetar në mbrojtje të së vërtetës, të barazisë dhe të së ardhmes euroatlantike të të gjithëve.
Evropa po sheh. Historia po shkruhet. Shqiptarët nuk duhet të heshtin.
















