Rubio: Incidenti në det me Kubën është “shumë i pazakontë”
Katër persona humbën jetën pasi u qëlluan nga rojet kufitare kubaneze gjatë një incidenti në det të hapur, ndërsa gjashtë të tjerë mbetën të plagosur. Sipas raportimeve, viktimat ishin shtetas kubanë që jetonin në Shtetet e Bashkuara.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA ka nisur një hetim për ngjarjen, të cilën e cilësoi si “shumë të pazakontë”. Ai konfirmoi se në bord nuk ndodhej personel qeveritar amerikan dhe se autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e incidentit, si dhe arsyen e pranisë së motoskafit në atë zonë.
“Është shumë e pazakontë të shohësh shkëmbime zjarri në det të hapur si kjo. Nuk është diçka që ndodh çdo ditë,” u shpreh Rubio, duke shtuar se hetuesit amerikanë do të veprojnë me shpejtësi për të mbledhur faktet kryesore. Ai bëri të ditur gjithashtu se Roja Bregdetare e SHBA-së ka lëvizur drejt zonës pranë vendit të incidentit.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme e Kubës njoftoi në një deklaratë zyrtare se pasagjerët e motoskafit – katër të vrarët dhe gjashtë të plagosurit – kishin hapur zjarr ndaj një anijeje të rojes bregdetare kubaneze pranë një ishulli në bregdetin verior të vendit.
Sipas autoriteteve kubaneze, 10 personat në bord, disa prej të cilëve me precedentë penalë, ishin të armatosur dhe dyshohet se synonin “të kryenin një infiltrim për qëllime terroriste”. Në mjetin lundrues thuhet se u sekuestruan pistoleta, pushkë sulmi, pajisje shpërthyese të improvizuara dhe mjete të tjera taktike.
Ministria identifikoi gjashtë të mbijetuarit, të cilët janë ndaluar nga autoritetet, si dhe një prej viktimave. Gjithashtu, bëhet e ditur për një person të njëmbëdhjetë, i cili dyshohet se është arrestuar dhe ka pranuar përfshirjen në komplotin e pretenduar.
Ngjarja ka shtuar tensionet mes Havanës dhe Uashingtonit, ndërsa hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat dhe përgjegjësitë e këtij incidenti të rëndë në det.
Flaka
















