BDI organizon iftar me Forumin Rinor, theksohet roli i të rinjve në parti
Bashkimi Demokratik për Integrim ka organizuar një iftar të përbashkët me strukturat e Forumi Rinor i BDI-së, ku është theksuar roli i rinisë në proceset politike dhe në ndërtimin e së ardhmes së partisë.
Në njoftimin e partisë thuhet se iftari është mbajtur në një atmosferë respekti dhe bashkimi. “Sonte patëm kënaqësinë që së bashku me strukturat e Forumit Rinor të BDI-së të organizojmë një iftar të përbashkët, në një atmosferë respekti dhe bashkimi”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti theksojnë se rrënjët e saj lidhen me sakrificën dhe përkushtimin për të drejtat e shqiptarëve. “Bashkimi Demokratik për Integrim ka buruar nga sakrifica e popullit dhe nga përkushtimi i atyre që besuan në një të ardhme më të drejtë e më dinjitoze për shqiptarët”, thuhet më tej në deklaratë.
Sipas BDI-së, në themelet e saj qëndron energjia dhe idealizmi i të rinjve, të cilët vazhdojnë të jenë forcë lëvizëse e proceseve politike dhe shoqërore. “Në themelet e saj qëndron energjia, idealizmi dhe vrulli i rinisë, që gjithmonë kanë qenë forca lëvizëse e proceseve tona politike dhe shoqërore”, thuhet në njoftim.
Nga kjo parti theksojnë se BDI mbetet një hapësirë politike ku të rinjtë marrin përgjegjësi për të udhëhequr procese. “BDI ka qenë dhe mbetet parti e rinisë, një shtëpi politike ku të rinjtë jo vetëm që gjejnë hapësirë, por edhe marrin përgjegjësi për të udhëhequr proceset dhe për të ndërtuar të ardhmen”, theksohet në deklaratë.
Në fund, nga BDI theksojnë se iftari i përbashkët ka shërbyer për të riafirmuar vazhdimin e angazhimit politik me energjinë e gjeneratave të reja. “Sonte, rreth sofrës së iftarit, riafirmuam se rruga jonë vazhdon me të njëjtin ideal, me të njëjtin përkushtim dhe me energjinë e pashtershme të gjeneratave të reja”, thuhet në reagimin e partisë. Gazeta Flaka
















