Denion Meidani dërgon fëmijët shqiptarë nga Manastiri në takim te kryeministri Edi Rama
Një grup fëmijësh nga biblioteka “Linkest” në Manastir kanë zhvilluar një vizitë kulturore dhe arsimore në Tiranë, të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, si dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, përcjell Gazeta Flaka.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, fëmijët u pritën në Kryeministria e Shqipërisë, ku zhvilluan një takim të veçantë me kryeministrin Edi Rama.
Ambasadori Meidani theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar te shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.
“Në Kryeministri, shoqëruam së bashku me zv/ministren Vilma Premti fëmijët nga Biblioteka ‘Linkest’ në Manastir në një takim të veçantë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Fëmijë që mbajnë gjallë gjuhën shqipe, librin shqip dhe dashurinë për identitetin tonë, edhe përtej kufijve”, ka shkruar Meidani.
Ai shtoi se çdo fjalë e mësuar në shqip dhe çdo libër i lexuar në këtë gjuhë është një dëshmi e ruajtjes së kulturës dhe identitetit shqiptar.

“Çdo fjalë e mësuar, çdo libër i lexuar në shqip është një urë që lidh brezat dhe një dëshmi se bijtë e shqipes, kudo që janë, e mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën e tyre. Ku ruhet gjuha shqipe, ruhet edhe shpirti i kombit”, theksoi ambasadori shqiptar në Shkup.
Në këtë vizitë morën pjesë edhe zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti, si dhe zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Oriana Osmani.

Fëmijët nga Manastiri vizituan gjithashtu shkollën 9-vjeçare Dora D’Istria, ku u organizua një pritje e ngrohtë me këngë dhe valle shqiptare. Sipas organizatorëve, vogëlushët sollën në skenë me shumë emocion traditën dhe dashurinë për flamurin kuqezi.
Vizita përfshiu edhe një ndalesë në Teatri i Kukullave, ku fëmijët kaluan një pasdite mes personazheve të dashur të skenës, duke përjetuar momente të veçanta me të qeshura dhe kuriozitet. Gazeta Flaka
















