Limani dhe Ristemi godasin krerët e VLEN-it pas vizitës në Kosovë: “E lehtë rruga me vetura drejt Prekazit”
Vizita e liderëve të koalicionit VLEN në Prekaz ka nxitur reagime të forta politike. Zyrtarë dhe figura të ndryshme kanë kritikuar mënyrën se si u bë kjo vizitë, duke e cilësuar si simbolike dhe jo të sinqertë.
Fatmir Limani, zyrtar i lartë i Lëvizja Besa dhe ministër në kabinetin qeveritar, reagoi me tone të ashpra ndaj liderëve të VLEN-it. Ai theksoi se nderimi i dëshmorëve nuk matet me homazhe simbolike, por me qëndrimin në momentet më të vështira të historisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Limani shkroi:
“E lehtë përkulja mbi varre kur rrethimi ka mbaruar.
E lehtë sfilata pranë gjakut të fëmijëve kur historia është shkruar.
E lehtë edhe rruga me vetura drejt Prekazit kur pushkët kanë heshtur.Ku ndodheshim në marsin e përgjakur, ditët kur kërkohej dora që çante rrethimin, zemra që nuk trembej, burrat që nuk fshiheshin!
Historia nuk matet me buqeta mbi lapidarë, por me vendin ku qëndrove kur hapeshin varret.”
Ai shtoi se “Guri i Prekazit i njeh mirë: edhe ata që iu përgjigjën me pushkë, edhe ata që vijnë me duart në xhepa.”
Reagime të forta pati edhe nga Fisnik Ristemi, i cili në zgjedhjet lokale ishte kryetar i shtabit të VLEN-it në Gostivar.
Në një postim publik, ai kritikoi figurat që morën pjesë në vizitë, duke thënë:
“Krejt këta ‘burra’ të rendit të parë dhe ai dardaleci me syza të zeza që ka hip në shkallë të duket më i madh, të gjithë këta kanë qenë mbi 18-19 vjeçarë kur ishte lufta e Kosovës dhe e Maqedonisë dhe asnjëri nuk ka qenë në luftë as 98-99 në Kosovë e as në 2001 në Maqedoni.”
Sipas reagimeve në rrjete sociale, komenti i Ristemit i referohej ministrit të Shëndetësisë Aziz Aliu, i cili është zyrtar i lartë në Aleanca për Shqiptarët dhe pjesë e koalicionit VLEN.
Vizita në Prekaz, vendi simbol i rezistencës së Adem Jashari dhe familjes Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vazhdon të mbetet një temë e ndjeshme në diskursin politik shqiptar, ku çdo veprim apo deklaratë shpesh shoqërohet me polemika dhe interpretime politike. Gazeta Flaka
















