VLEN premton një parti, në terren shfaqet modeli ash_VLEN
“Në Gostivar hapëm zyrën e re të VLEN-it, e cila do të jetë me dyer të hapura për qytetarët, idetë dhe nevojat e tyre. Gostivari është një qytet me energji të fortë që dërgon mesazhin se bashkimi është më i fuqishëm se përçarja”, ka deklaruar Azir Aliu.
Hapja e kësaj zyre vjen në një moment kur në skenën politike shqiptare po flitet gjithnjë e më shumë për unifikimin e koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik. Në rrjetet sociale dhe në komunikimet publike të krerëve të koalicionit po promovohet ideja e shndërrimit të VLEN-it në një parti të vetme.
Megjithatë, zhvillimet në terren duket se tregojnë një realitet tjetër.
Zyra e hapur në Gostivar është e lidhur me strukturat e Aleanca për Shqiptarët, pjesë e koalicionit qeveritar VLEN. Për dallim nga periudhat e mëhershme, në identitetin vizual të zyrës emri i partisë shfaqet si prefiks në vazhdimësi të logos së VLEN-it, duke tentuar të ruajë njëkohësisht identitetin partiak dhe atë të koalicionit: ash_VLEN.
Ndërkohë, në Gostivar vazhdojnë të funksionojnë edhe zyra të veçanta të partive të tjera që përbëjnë VLEN-in, përfshirë Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lidhja Demokratike.
Kjo situatë krijon një paradoks politik: ndërsa në diskursin publik flitet për bashkim dhe funksionim të përbashkët, në praktikë strukturat partiake vazhdojnë të funksionojnë paralelisht.
Në këtë kontekst shtrohet edhe pyetja politike: pse hapen zyra të reja partiake nëse synimi është unifikimi i VLEN-it dhe funksionimi i strukturave në një organizim të përbashkët?
Hapja e zyrës në Gostivar kështu shihet si një shembull i paralelizmit mes narrativës së bashkimit dhe realitetit organizativ në terren, në një periudhë kur koalicioni përballet me sfidën e transformimit nga një bashkim partish në një subjekt të vetëm politik. Gazeta Flaka
















