Medreseja Isa Beu – Paralelja e Vajzave organizon iftar tradicional në Gostivar
Medreseja Isa Beu, Paralelja e Vajzave, në bashkëpunim me Muftininë e Gostivarit, organizoi sonte iftarin tradicional që bashkon brezat e medresanteve.
Në këtë mbrëmje të veçantë, nxënëset aktuale, ish-nxënëset, profesoreshat dhe mysafirë të nderuar u ulën në një tryezë të përbashkët, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë ramazanore të mbushur me përmallim, reflektim dhe mirënjohje.
Programi u pasurua me lexim të Kuranit, ilahi dhe kaside nga nxënëset e medresesë, të cilat i dhanë mbrëmjes një dimension të veçantë shpirtëror.
Pas iftarit u zhvillua një panel diskutimi me panelistet Spec. Dpl. Arlinda Memedi dhe Prof. Zumera Demiri (Psikologe), ku përmes reflektimeve, përvojave dhe këshillave të vlefshme, mbrëmja u shndërrua në një takim frymëzues që forcoi edhe më shumë lidhjen mes gjeneratave të medresanteve.
Drejtoresha e Medresesë, Dr. Islam Islami, falënderoi Myftiun e Gostivarit, H. Sabahudin ef. Zendeli, dhe koordinatorin e Medresesë, Prof. Afrim Alija, për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në organizimin e aktiviteteve që forcojnë lidhjen mes brezave. “Ky iftar është një mundësi për të bashkuar brezat dhe për të riafirmuar vlerat tona shpirtërore dhe arsimore,” tha Dr. Islami.
Nga Muftinia BFI – Gostivar u shpreh se: “Takimet e tilla janë pjesë e përkushtimit tonë për të mbështetur edukimin dhe zhvillimin shpirtëror të brezave të rinj,” duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve që kultivojnë lidhjen ndërbrezatore dhe vlerat islame.
Një natë e mbushur me dashuri, vlera dhe kujtime, që dëshmon se Medreseja mbetet një vatër e gjallë e dijes dhe një urë e fortë lidhëse mes brezave. Gazeta Flaka
















