Evakuime dhe panik pas tërmetit 7.4 ballë në Indonezi
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter goditi mëngjesin e së enjtes zonën e Deti Molucca, pranë ishullit Ternate në Indonezi, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.
Sipas të dhënave zyrtare, lëkundja u regjistrua në orën 06:48 sipas kohës lokale, në një thellësi prej rreth 35 kilometrash. Fillimisht u lëshua paralajmërim për cunami, i cili më vonë u tërhoq nga autoritetet.
Nga pasojat e tërmetit, një grua 70-vjeçare humbi jetën në rajonin e Sulawesi Verior, pasi u zuri poshtë nga rrënojat e një ndërtese.
Banorët në zonat e prekura raportuan se bëhej fjalë për një nga tërmetet më të forta të viteve të fundit. Në qytetin Manado, dëshmitarët përshkruan panik të madh, me mobilje që lëviznin dhe ndërtesa që dridheshin për disa sekonda.
Epiqendra e tërmetit ndodhej mes Manados dhe Ternates, ndërsa pas lëkundjes kryesore u regjistruan edhe të paktën dy pasgoditje me magnitudë 5.5 dhe 5.2. Autoritetet paralajmërojnë për mundësi të tjera paslëkundjesh.
Raportohet për dëme në ndërtesa dhe disa të lënduar, ndërsa pamjet nga terreni tregojnë objekte të dëmtuara dhe rrënoja në zona të ndryshme.
Në Spitalin Siloam, pacientët dhe stafi u evakuuan menjëherë, ndërsa ekipet mjekësore ngritën zona të improvizuara për trajtim jashtë ndërtesës për shkak të rrezikut nga lëkundjet e tjera.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të kujdesshëm.
Flaka












