Instagram teston abonim premium me mundësi për të parë Story-t anonim
Rrjeti social Instagram po teston një shërbim të ri me abonim premium, i cili do t’u ofrojë përdoruesve që paguajnë disa funksione shtesë, përfshirë mundësinë për të parë Story-t e të tjerëve në mënyrë anonime.
Ndër veçoritë e tjera që po provohen janë krijimi i një liste të re audience, përveç “Close Friends”, dhe zgjatja e kohëzgjatjes së Story-ve deri edhe për 24 orë të tjera. Aktualisht, Story-t zhduken pas 24 orësh dhe krijuesi mund të shohë se kush i ka parë ato.
“Qëllimi ynë është të kuptojmë përmes këtyre testimeve se cilat veçori përdoruesit i vlerësojnë më shumë në një paketë premium”, ka deklaruar një zëdhënës i Instagram për Bloomberg.
Sipas TechCrunch, testimi po zhvillohet në disa vende si Meksika, Japonia dhe Filipinet, me një çmim që varion nga 1 deri në 2 dollarë në muaj.
Kompania Meta ka provuar gjatë viteve të fundit produkte të ndryshme me pagesë për të krijuar burime të reja të ardhurash përtej reklamave, që mbeten burimi kryesor i fitimeve të saj. Në vitin 2023 u prezantua Meta Verified, një abonim për krijuesit dhe bizneset që mbron markat nga keqpërdorimi dhe rrit besueshmërinë në internet. Ky shërbim ofron katër nivele, ku paketa më e shtrenjtë arrin deri në 500 dollarë në muaj.
Gjithashtu, Meta ofron versione pa reklama për përdoruesit në Bashkimin Evropian dhe abonime mujore që u japin fansave akses në përmbajtje ekskluzive nga krijuesit e tyre të preferuar.
Flaka
















