Trump paralajmëron Iranin: Marrëveshje ose pasoja të rënda
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se ekziston një “shans i mirë” për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, ndërsa tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të larta.
Në një prononcim për Fox News, Trump theksoi se negociatat janë duke vazhduar dhe mund të japin rezultat që të hënën. “Mendoj se ka një shans të mirë nesër, ata po negociojnë tani”, tha ai.
Megjithatë, presidenti amerikan paralajmëroi pasoja të rënda nëse nuk arrihet marrëveshje brenda një afati të shkurtër. Ai përmendi mundësinë e ndërhyrjeve ushtarake dhe deklaroi se situata mund të përshkallëzohet në mënyrë drastike.
Më herët gjatë ditës, përmes një reagimi në rrjetet sociale, Trump kishte paralajmëruar se SHBA mund të synojë infrastrukturë strategjike të Iranit, përfshirë termocentrale dhe ura, nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës.
Deklaratat e forta të tij vijnë në një moment kritik për sigurinë ndërkombëtare, ndërsa komuniteti global po ndjek nga afër zhvillimet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Flaka











