Bloomberg: SHBA zhvendos arsenal “stealth” kundër Iranit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvendosin një pjesë të konsiderueshme të arsenalit të tyre të raketave “stealth” drejt operacioneve ushtarake kundër Iranit, raportoi Bloomberg.
Sipas këtij raporti, planet e ardhshme të fushatës amerikane përfshijnë përdorimin e një pjese të madhe të stokut të raketave JASSM-ER (Joint Air-to-Surface Missile – Extended Range), armë me rreze të gjatë veprimi që kap vlerën rreth 1.5 milionë dollarë për njësi.
Burime të informuara bëjnë të ditur se urdhri për zhvendosjen e këtyre raketave është dhënë në fund të muajit mars, ndërsa ato po transferohen nga baza të ndryshme, përfshirë territorin amerikan, drejt Lindjes së Mesme dhe bazave në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas këtyre lëvizjeve, vetëm rreth 425 raketa JASSM-ER nga një stok prej mbi 2,300 njësish para konfliktit pritet të mbeten të disponueshme për rajone të tjera, ndërsa një pjesë e tyre rezulton jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve.
Këto raketa kanë një rreze veprimi mbi 600 milje dhe janë projektuar për të goditur objektiva nga distanca të sigurta, duke shmangur sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore.
Raporti thekson se, së bashku me versionin më të shkurtër të kësaj rakete, rreth dy të tretat e arsenalit amerikan janë vënë në dispozicion të operacioneve kundër Iranit, duke reduktuar rezervat e planifikuara për përballje me kundërshtarë të tjerë strategjikë, si Kina.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli pretendojnë se kanë dëmtuar ndjeshëm mbrojtjen ajrore iraniane, çka mundëson përdorimin e armëve më të lira në fazat e ardhshme të operacioneve.
Megjithatë, raportimet flasin edhe për humbje në terren, përfshirë rrëzimin e një avioni luftarak F-15E Strike Eagle dhe dëmtime të tjera në flotën ajrore.
Vetëm në katër javët e para të konfliktit, mbi 1,000 raketa JASSM-ER janë përdorur, duke ngritur shqetësime serioze mbi kapacitetin e furnizimit, pasi zëvendësimi i tyre kërkon vite prodhimi me ritmet aktuale.
Prodhuesi Lockheed Martin planifikon të prodhojë qindra njësi gjatë këtij viti, megjithatë rritja e kapaciteteve mbetet sfidë në kushtet e kërkesës së lartë.
Deri më tani, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA dhe Komanda Qendrore Amerikane nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj këtyre raportimeve.
Flaka
















