Trump kërcënon Kinën me tarifa 50% nëse konfirmohet ndihma ushtarake ndaj Iranit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar vendosjen e tarifave të rënda doganore ndaj Kinës nëse konfirmohet se Pekini po i ofron ndihmë ushtarake Iranit në kuadër të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se Kina mund të përballet me tarifa prej 50% mbi mallrat e saj në rast se provohet përfshirja në furnizimin me armë, përfshirë raketa kundërajrore të tipit MANPAD.
“Nëse i kapim duke e bërë këtë, do të goditen me tarifa prej 50 për qind”, tha ai, duke e cilësuar këtë si një masë “marramendëse”.
Megjithatë, presidenti amerikan shprehu edhe dyshime se Kina do të ndërmarrë një hap të tillë, duke përmendur marrëdhëniet që ka me homologun e tij, Xi Jinping. “Ndoshta ka pasur lëvizje të kufizuara në fillim, por nuk besoj se do të vazhdojnë”, shtoi ai.
Sipas raportimeve të CNN, inteligjenca amerikane ka indikacione se Kina mund të jetë duke përgatitur dërgesa armësh drejt Iranit, çka ka rritur shqetësimet në Uashington.
Trump pritet të vizitojë Pekinin më 14 dhe 15 maj, ku do të zhvillojë një takim të rëndësishëm me presidentin kinez, në një kohë kur tensionet gjeopolitike mbeten të larta.
Flaka
















