Donald Trump: “Izraeli nuk më bindi të hyj në luftë me Iranin”
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar përmes një postimi në X, duke mohuar pretendimet se Izrael e ka bindur të hyjë në një konflikt me Iran.
Në reagimin e tij, Trump theksoi se sulmet e Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 vetëm sa kanë përforcuar bindjen e tij të kahershme se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur në opinionin publik amerikan po qarkullojnë pretendime se Izraeli mund të ketë ndikuar në vendimet e administratës amerikane për përfshirje në konflikt. Megjithatë, Trump dhe Shtëpia e Bardhë i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.
Sipas raportimeve të The New York Times, disa nga këshilltarët më të afërt të Trumpit, përfshirë gjeneralin Dan Caine, kishin shprehur shqetësime lidhur me parashikimet izraelite të paraqitura nga kryeministri Benjamin Netanyahu para nisjes së operacioneve.
Ndërkohë, ish-kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joe Kent, ka deklaruar publikisht se beson që Izraeli ka përdorur kanale të fshehta për të ndikuar në vendimmarrjen amerikane – pretendime që janë hedhur poshtë nga administrata.
Në të njëjtin postim, Trump sulmoi mediat, duke i akuzuar për “gënjeshtra dhe histori të sajuara”, ndërsa shtoi se “rezultatet në Iran do të jenë të mahnitshme”.
Flaka
















