WhatsApp prezanton abonimin “Plus” – ja çfarë përfitoni
Platforma e njohur e komunikimit WhatsApp ka nisur zyrtarisht testimin e një shërbimi të ri abonimi, të quajtur “WhatsApp Plus”, duke shënuar një hap të ri drejt monetizimit të aplikacionit.
Sipas raportimeve, paketa e re kushton rreth 2.49 euro në muaj në Evropë dhe aktualisht është e disponueshme vetëm për një numër të kufizuar përdoruesish, pasi ndodhet ende në fazë testimi.
Abonentët e “WhatsApp Plus” do të kenë qasje në një sërë veçorish shtesë, përfshirë afishe ekskluzive premium, mundësi të zgjeruara për personalizimin e aplikacionit me deri në 18 tema të ndryshme ngjyrash, si dhe opsionin për të zgjedhur një ikonë të personalizuar për aplikacionin.
Një tjetër risi është rritja e limitit për fiksimin e bisedave, nga 3 në 20, duke e bërë më të lehtë menaxhimin e kontakteve dhe grupeve të rëndësishme. Po ashtu, përdoruesit përfitojnë zile ekskluzive dhe mundësi për të aplikuar cilësime në grup për disa biseda njëkohësisht, përmes listave të personalizuara.
Megjithatë, kompania ka konfirmuar se të gjitha funksionet bazë të aplikacionit do të mbeten falas, përfshirë enkriptimin “end-to-end”. Veçoritë e reja janë shtesa opsionale dhe nuk zëvendësojnë funksionet ekzistuese.
Aktualisht, “WhatsApp Plus” duket se është i fokusuar kryesisht në pajisjet Android, ndërsa mbështetja për iOS pritet të vijë në një fazë të mëvonshme.
Flaka
















