Trump: Bisedë me Von der Leyen për Iranin dhe marrëveshjet tregtare me BE
Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ku janë diskutuar çështje të rëndësishme globale, përfshirë Iranin dhe marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.
Në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump tha se biseda ishte “e mirë dhe konstruktive”, duke theksuar se të dy palët janë të bashkuara në qëndrimin se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore.
Sipas tij, diskutimet përfshinë gjithashtu negociatat tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimi Evropian, ku Trump pretendon se ekziston një marrëveshje historike e arritur më herët në Turnberry, Skoci, që parashikon ulje tarifash.
Ai shtoi se i ka kërkuar BE-së të përmbushë angazhimet e saj, duke përfshirë reduktimin e tarifave në zero, si pjesë e asaj që e quajti “marrëveshja më e madhe tregtare ndonjëherë”.
Trump gjithashtu deklaroi se i ka dhënë kohë Bashkimit Evropian deri në 250-vjetorin e SHBA-së për të përmbushur marrëveshjen, përpara se të shqyrtohen masa të reja tarifore.
Megjithatë, mbetet e paqartë baza ligjore e këtyre deklarimeve, duke marrë parasysh vendimet e mëparshme të Gjykatës së Lartë amerikane për politikat tarifore.
Flaka
















