Google revolucionarizon intervistat për programuesit, kandidatët do të lejohen të përdorin AI gjatë testimeve
Google po teston një mënyrë të re rekrutimi për inxhinierët e software, duke lejuar përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë intervistave teknike. Ndryshimi vjen si pjesë e përshtatjes së kompanisë me mënyrën moderne të zhvillimit të softuerit në epokën e AI.
Sipas një dokumenti të brendshëm të publikuar nga Business Insider, programi pilot fillimisht do të zbatohet për pozita junior dhe mid-level në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me mundësi zgjerimi në rajone dhe ekipe të tjera nëse rezulton i suksesshëm.
Nga gjysma e dytë e vitit, kandidatët do të mund të përdorin një asistent AI të miratuar gjatë fazës së “code comprehension”, ku duhet të analizojnë, korrigjojnë dhe optimizojnë kod ekzistues. Intervistuesit do të vlerësojnë jo vetëm njohuritë teknike, por edhe mënyrën se si kandidatët përdorin inteligjencën artificiale, përfshirë formulimin e kërkesave (prompt engineering), verifikimin e rezultateve dhe debugging-un.
Google konfirmoi se modeli Gemini do të përdoret si asistent AI gjatë fazës pilot. Brian Ong, zëvendëspresident i rekrutimit në kompani, deklaroi se procesi i punësimit po përshtatet me mënyrën reale se si ekipet moderne të software-it punojnë sot.
Ndryshimet reflektojnë ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në industrinë e teknologjisë. Sipas Google, rreth 75% e kodit të ri të krijuar brenda kompanisë tashmë gjenerohet nga AI. Edhe OpenAI ka raportuar rritje të ndjeshme të përdorimit të inteligjencës artificiale në programim.
Dokumenti zbulon gjithashtu se raundi “Googleyness and Leadership” do të përfshijë diskutime më teknike mbi projektet e kaluara të kandidatëve, ndërsa programuesit më të rinj do të përballen me sfida më të hapura inxhinierike. Qasja e re përshkruhet si “human-led, AI-assisted”, me synimin për të simuluar sa më mirë realitetin e punës së një inxhinieri modern software.
Flaka
















