Tragjedi në Spanjë: 212 të vdekur nga vala e të nxehtit në katër ditë
Spanja po përballet me pasojat e një vale ekstreme të të nxehtit, e cila sipas të dhënave zyrtare ka shkaktuar 212 vdekje të lidhura me temperaturat e larta brenda vetëm katër ditëve.
Sipas sistemit publik të monitorimit të vdekshmërisë “MoMo”, numri i viktimave është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi zyrtar i valës së të nxehtit më 21 qershor. Të dhënat tregojnë se janë regjistruar 13 vdekje të shtunën, 38 të dielën, 66 të hënën dhe 95 të martën, duke reflektuar një përkeqësim të situatës nga dita në ditë.
Temperaturat ekstreme kanë thyer disa rekorde historike në vend. Në rajonin verior të Kantabrias u regjistrua temperatura më e lartë e shënuar ndonjëherë, 43.7 gradë Celsius. Rekorde të reja janë regjistruar edhe gjatë natës në qytetin Zamora dhe në provincën Almeria, ku temperaturat mbetën jashtëzakonisht të larta edhe pas perëndimit të diellit.
Megjithatë, shërbimi kombëtar i motit në Spanjë, Aemet, nuk ka lëshuar alarm të kuq për ditën e sotme. Meteorologët parashikojnë që temperaturat në disa rajone të arrijnë deri në 37-38 gradë Celsius, ndërsa në zona të caktuara priten reshje shiu dhe stuhi që mund të sjellin një lehtësim të përkohshëm nga i nxehti ekstrem.
Autoritetet vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë ndaj të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore, të cilët konsiderohen grupet më të rrezikuara gjatë periudhave të temperaturave ekstreme.
Flaka
















