Dy policë nga Struga nën hetim për përdorim të tepruar të forcës ndaj një personi të prangosur
Dy zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Strugës janë vënë nën hetim pasi dyshohen për përdorim të tepruar të forcës fizike ndaj një personi të privuar nga liria, i cili në momentin e incidentit kishte duart e prangosura.
Departamenti për Kontrollin e Brendshëm, Hetimin e Krimit dhe Standardet Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal ndaj zyrtarëve policorë me inicialet T.M. dhe I.Sh., për shkak të dyshimeve për tejkalim të autorizimeve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur më 14 maj 2026 në ambientet e Stacionit Policor të Strugës, gjatë shoqërimit të një personi që ishte arrestuar më herët. Edhe pse ai ndodhej me pranga në duar, dy policët dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke e goditur me duar dhe këmbë.
MPB-ja bëri të ditur se ndaj dy zyrtarëve do të propozohet fillimi i procedurës gjyqësore. Paralelisht, deri në përfundimin e procedurës disiplinore, ndaj tyre do të zbatohen masa të përkohshme, përfshirë sekuestrimin e armëve dhe municionit të shërbimit, si dhe pezullimin nga detyra.
Rasti është në procedurë dhe autoritetet pritet të ndërmarrin hapat e mëtejshëm në përputhje me ligjin.
Flaka
















