Google përgatit rivalin e AirTag, Pixel Tag pritet të sjellë gjurmimin inteligjent në Android
Google duket se është gati të hyjë në tregun e gjurmuesve inteligjentë të objekteve me një pajisje të re të quajtur Pixel Tag, e cila pritet të jetë alternativa e kompanisë amerikane ndaj Apple AirTag.
Sipas imazheve dhe listimeve të zbuluara nga mediat teknologjike, prezantimi i Pixel Tag mund të bëhet gjatë eventit Made by Google, së bashku me serinë e re të telefonave Pixel.
Pajisja pritet të ketë një dizajn minimalist në formë pilule dhe të jetë e pajisur me një altoparlant të integruar, i cili do t’u ndihmojë përdoruesve të gjejnë më lehtë objektet e humbura si çanta, valixhe apo portofolë.
Ashtu si produkti i Apple, Pixel Tag nuk pritet të ketë një kapëse të integruar për lidhje direkte me çelësa ose aksesorë, duke bërë që përdoruesit të kenë nevojë për mbajtëse shtesë.
Një nga pikat kryesore të pajisjes do të jetë integrimi me rrjetin Find My Device të Google, i cili do të lejojë lokalizimin e objekteve përmes ekosistemit Android. Kompania gjithashtu pritet të vendosë theks të veçantë te privatësia dhe mbrojtja e të dhënave të përdoruesve.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse Pixel Tag do të ketë teknologjinë Ultra-Wideband (UWB), e cila mundëson gjetje më precize të objekteve. Mungesa e kësaj veçorie mund të jetë një disavantazh përballë disa rivalëve në treg.
Avantazhi kryesor i Pixel Tag mund të jetë fakti se do të jetë produkti zyrtar i Google për përdoruesit Android, njësoj siç AirTag është bërë zgjedhja kryesore për ekosistemin e Apple.
Sipas informacioneve të para, çmimi i pajisjes në Evropë mund të jetë rreth 26 euro.
Flaka
















