Google heq dorë nga Assistant, Gemini bëhet asistenti i ri me inteligjencë artificiale në Android
Google ka vendosur t’i japë fund funksionimit të Google Assistant në pajisjet Android, duke e zëvendësuar atë me asistentin e ri të bazuar në inteligjencën artificiale, Gemini.
Procesi i kalimit drejt platformës së re do të nisë më 4 shtator 2026, kur përdoruesit nuk do të kenë më qasje te Google Assistant në telefonat dhe pajisjet e mbështetura.
Pas gati një dekade përdorimi, Google Assistant po largohet gradualisht nga ekosistemi i kompanisë, ndërsa Google po përqendrohet te Gemini si qendra kryesore e ndërveprimeve me zë dhe inteligjencës artificiale.
Gemini pritet të marrë përsipër funksione si komandat zanore, përgjigjet ndaj pyetjeve, ndihmën në planifikim dhe ndërveprime më të avancuara me përdoruesit. Përditësimi do të prekë telefonat dhe tabletët Android, pajisjet me Wear OS, kufjet dhe disa funksione të lidhura me Android Auto.
Google synon që Gemini të ofrojë një përvojë më të avancuar falë modeleve gjenerative të inteligjencës artificiale, duke e kthyer asistentin virtual në një mjet që kupton kërkesa më komplekse dhe zhvillon biseda më natyrale.
Megjithatë, disa përdorues kanë shprehur shqetësime se Gemini ende nuk i kryen në mënyrë identike të gjitha funksionet praktike që ofronte Google Assistant, veçanërisht komandat e shpejta në telefon dhe automjete.
Me këtë ndryshim, Google po përshpejton kalimin drejt një epoke të re të asistentëve virtualë të bazuar në inteligjencë artificiale.
Flaka










