Presidentja Siljanovska Davkova thotë se do ta respektojë emrin kushtetues
Pas reagimit të opinionit vendas dhe ndërkombëtar, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova përmes një kumtese për media tha do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues.
“Në daljet e saj publike, presidentja Siljanovska ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane. Sipas Kushtetutës, të përgatitur nga shërbimet e Kuvendit, betimi solemn është nënshkruar duke përdorur emrin kushtetues”, thuhet në kumtesën e Siljanovskës.
Më tej në njoftimin e Siljanovkës thuhet se institucionet maqedonase në 5 vitet e fundit pothuajse plotësisht i kanë përmbushur obligimet e tyre nga Marrëveshja e Prespës dhe presidentja pret që të gjithë partnerët maqedonas të respektojnë obligimet bilaterale dhe shumëpalëshe që i kanë marrë ndaj vendit.
Kujtojmë se derisa kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, lexonte deklaratën solemne me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedoni e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës, por e përdori vetëm emrin “Maqedoni”. “
Deklaroj se postin e presidentit të Maqedonisë do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi. Do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe do ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”, tha në betimin solemn Siljanovska-Davkova. Ajo madje që në fushatën parazgjedhore kishte sqaruar që do të mundohet të shmang emrin e ri zyrtar të shtetit, për çka kishte reaguar edhe pala greke. Ky hap i Siljanovskës dhe i partisë nga e cila ajo u mbështet, VMRO-DPMNE, ka hasur në reagim të ashpër të Greqisë dhe opinionit ndërkombëtar, duke ia kujtuar se vendi duhet ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, nëse dëshiron të ecë përpara në rrugën eurointegruese. Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005.
Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2027 socialdemokratët qeverisës arritën një marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Ndryshimi i emrit në Maqedoni e Veriut solli edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Kjo situatë, mund t’i hapë vendit probleme të mëtejshme me Bullgarinë, me të cilën edhe ashtu ka marrëdhënie herë pas here të tensionuara.