Google investon të paktën 13 miliardë euro në Finlandë, projekti pritet të krijojë mbi 37 mijë vende pune
Google planifikon të investojë të paktën 13 miliardë euro në Finlandë gjatë dy viteve të ardhshme, në atë që konsiderohet investimi më i madh i kompanisë në Evropë.
Sipas Euronews, investimi do të përqendrohet në ndërtimin dhe zhvillimin e qendrave të të dhënave dhe infrastrukturës digjitale, si dhe në projekte për energji të pastër, biodiversitet, arsim, kërkim dhe zhvillimin e fuqisë punëtore.
Qendrat e të dhënave në Hamina, Kajaani, Muhos dhe Vaala do të mbështesin shërbime të ndryshme të Google, përfshirë edhe chatbot-in me inteligjencë artificiale Gemini. Punimet e ndërtimit pritet të zhvillohen gjatë viteve 2027 dhe 2028.
Kompania amerikane vlerëson se investimi mund t’i shtojë rreth 3.6 miliardë euro në vit PBB-së së Finlandës dhe të mbështesë më shumë se 37 mijë vende pune, prej të cilave rreth 16 mijë pritet të lidhen drejtpërdrejt me sektorin e ndërtimit.
Pas përfundimit të projekteve, qendrat e të dhënave pritet të mbështesin rreth 7 mijë vende pune në vit, duke e bërë investimin një prej projekteve më të rëndësishme teknologjike dhe ekonomike në vend.
Finlanda është bërë një destinacion tërheqës për qendrat e të dhënave falë energjisë relativisht të lirë dhe klimës së ftohtë, faktorë që ndihmojnë në uljen e kostove të funksionimit dhe ftohjes së infrastrukturës së madhe kompjuterike.
Flaka











