Policia ka zbuluar një plantacion ilegal me kanabis në rajonin e Strumicës
Policia ka zbuluar një plantacion ilegal me kanabis në territorin e Komunës së Novo Sellës, ndërsa për rastin janë kallëzuar penalisht dy persona të moshës 34 dhe 30 vjeç.
Sipas të dhënave të SPB Strumicë, Z.M. dhe A.T.G., të dy nga Novo Sella, dyshohet se kishin rënë dakord më herët për të përgatitur dhe kultivuar kanabis në një pjesë të fshehur të një parcele në vendin e quajtur “Matnik”.
Hetimi ka treguar se në maj të këtij viti ata kishin mbjellë dhe kultivuar bimët, me qëllim prodhimin e marihuanës. Përfshirja e tyre, sipas policisë, është dokumentuar përmes veprimeve operative dhe masave të posaçme hetimore.
Rasti u komentua edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili, i pyetur se pse plantacioni nuk ishte zbuluar më herët, tha se policia kishte vepruar menjëherë pas marrjes së informacioneve.
“Reagimi në rastin konkret absolutisht është në kohë dhe është fakt që nuk kemi lejuar që ajo drogë të gjendet në rrugët tona dhe në duart e qytetarëve tanë”, deklaroi Toshkovski.
Sipas policisë, gjatë procedurës zyrtare dy të dyshuarit kanë pranuar se kishin siguruar farat, kishin përgatitur tokën dhe kishin krijuar plantacionin.
Pas përfundimit të veprimeve policore, të dy personat janë dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Strumicë, ku do të zhvillohet procedura e mëtejshme ligjore. Gazeta Flaka










