ZNAM vendos kufirin, Mickoski e përsërit: Provimi i jurisprudencës jo tërësisht në shqip
Kryeministri Hristijan Mickoski përsërit qëndrimin e ZNAM-it: pjesa teorike e provimit mund të zhvillohet në shqip, por simulimi i proceseve gjyqësore do të mbetet ekskluzivisht në maqedonisht. Studentët nuk tërhiqen nga kërkesa për provim 100% në gjuhën shqipe.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka konfirmuar se Qeveria nuk do të mbështesë kërkesën për zhvillimin e plotë të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e bërë të qartë se kompromisi i propozuar nga Ministria e Drejtësisë nuk do të shkojë përtej lejimit të pjesës teorike në gjuhën në të cilën studentët kanë kryer studimet.
“Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë provim të jurisprudencës 100% në gjuhën shqipe”, është mesazhi politik që përcjell qëndrimi i kryeministrit, i cili arsyeton kufizimin me natyrën e procedurave gjyqësore dhe sundimin e ligjit.
Sipas zgjidhjes që pritet t’i propozohet Qeverisë, provimi do të ndahet në dy pjesë. Pjesa teorike do të mund të zhvillohet në gjuhën shqipe, turke ose angleze, nëse këto janë gjuhët në të cilat kandidatët kanë ndjekur studimet. Ndërkaq, pjesa praktike, që përfshin simulimin e procedurave penale dhe civile, do të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
Mickoski përsërit qëndrimin e ZNAM-it
Kryeministri e paraqet këtë ndarje si çështje të sundimit të ligjit dhe jo si çështje të të drejtave gjuhësore apo politike. Ai nuk pranoi të komentojë veçmas kërcënimin e partnerit të koalicionit qeverisës, ZNAM, për dalje nga Qeveria në rast se lejohet provimi i jurisprudencës në tërësi në gjuhën shqipe.
Megjithatë, qëndrimi i tij përmban të njëjtin kufizim që paraprakisht e kishte artikuluar lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski: lejim i shqipes në pjesën teorike, por jo në atë praktike.
Studentët kundërshtojnë kompromisin
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, kishte propozuar një model sipas të cilit 10 provime do të mund të jepeshin në gjuhën në të cilën studentët kanë kryer studimet, ndërsa dy provimet praktike do të zhvilloheshin në gjuhën maqedonase.
Por ky propozim është kundërshtuar nga studentët, të cilët këmbëngulin se provimi i jurisprudencës duhet të jetë 100% në gjuhën shqipe, pa ndarje ndërmjet pjesës teorike dhe asaj praktike.
Në këtë përplasje, çështja tashmë ka kaluar përtej një modeli teknik të organizimit të provimit. Në thelb është debati për shtrirjen reale të përdorimit të gjuhës shqipe në një proces profesional dhe institucional që lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e profesionit të juristit.
Për studentët, lejimi i shqipes vetëm në teorinë juridike, ndërsa përjashtimi i saj nga simulimi i procedurave gjyqësore, nuk përmbush kërkesën për barazi gjuhësore. Për Qeverinë, ndërkaq, ky është kufiri i kompromisit që është e gatshme të ofrojë.
Tashmë mbetet të shihet nëse propozimi do të miratohet në këtë formë dhe nëse Qeveria do të arrijë ta bindë komunitetin studentor se zgjidhja e ofruar është e mjaftueshme.











