BDI denoncon shkeljen e Ligjit për Gjuhët – Selimi: Heshtja e VLEN-it po u jep guxim institucioneve të shkelin ligjin
Arjanit Hoxha pretendon se drejtoresha Marija Andonovska ka urdhëruar që komunikimi zyrtar në Institut të zhvillohet vetëm në maqedonisht dhe se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen. Për këtë rast ka reaguar edhe analisti Sefer Selimi, i cili paralajmëron se mungesa e pasojave po inkurajon shkelje të ngjashme në institucione.
Çështja e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është rikthyer në qendër të debatit politik, pas një denoncimi nga BDI për zhvillimet në Institutin e Shëndetit Publik. Partia akuzon drejtuesit e institucionit për kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar, ndërsa përgjegjësinë politike e lidh edhe me heshtjen e përfaqësuesve të VLEN-it në Qeveri.
Sipas reagimit të Arjanit Hoxhës nga BDI, drejtoresha aktuale e Institutit, Marija Andonovska, ka udhëzuar sektorët që komunikimi zyrtar të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
Hoxha pretendon se drejtuesit e sektorëve janë njoftuar përmes mesazheve telefonike se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen më dhe se të vlefshme do të konsiderohen vetëm dokumentet në gjuhën maqedonase.
“Me çfarë të drejte një drejtoreshë e një institucioni shtetëror merr guximin të shpallë të pavlefshme dokumentet që përmbajnë gjuhën shqipe? Kush ia ka dhënë kompetencën të vendoset mbi ligjin?”, pyet Hoxha.
Ai kritikon edhe përfaqësuesit e VLEN-it, duke i akuzuar se nuk po përdorin mekanizmat institucionalë për të kërkuar zbatimin e ligjit.
“Heshtja e tyre nuk është më vetëm paaftësi politike, por po shndërrohet në inkurajim për të gjithë ata funksionarë që marrin guximin të shkelin ligjin”, thuhet në reagimin e tij.
BDI kërkon nga Qeveria të shqyrtojë veprimet e drejtuesve institucionalë dhe të kërkojë përgjegjësi konkrete për mosrespektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Njëkohësisht, partia i bën thirrje Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve të ndërmarrë mbikëqyrje dhe veprime juridike ndaj institucioneve ku konstatohen shkelje.
Në këtë debat është përfshirë edhe analisti Sefer Selimi, i cili vlerëson se mungesa e reagimit të qartë nga përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri po krijon hapësirë për shkelje të ligjit.
“Arsyetimi, relativizimi, heshtja dhe mungesa e reagimit të qartë e të prerë nga përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri, sa herë që gjuha shqipe anatemohet, fyehet apo nuk përdoret në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, kanë krijuar një komoditet të rrezikshëm”, shkruan Selimi.
Duke iu referuar rastit të Institutit të Shëndetit Publik, ai thekson se drejtuesit institucionalë mund të mos ndihen të ekspozuar ndaj pasojave kur nuk ka reagim politik dhe juridik.
“Rasti i drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, e cila merr guximin ta shpallë të pavlefshme gjuhën shqipe, është shembull tipik i këtij fenomeni”, shprehet Selimi.
Analisti ngre edhe dy pyetje që e zgjerojnë debatin përtej rastit konkret: “Sa raste të tjera të ngjashme ndodhin gjithandej sistemit qeverisës, larg syve të publikut dhe pa u denoncuar? Dhe sa prej tyre nuk do të kishin ndodhur sikur shkelja e ligjit të kishte pasoja?”
Rasti i pretenduar në Institutin e Shëndetit Publik rikthen në vëmendje çështjen e zbatimit praktik të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe përgjegjësinë e institucioneve për respektimin e tij. Deri më tani, në informacionet e bëra publike në këto reagime nuk paraqitet një përgjigje e drejtoreshës Andonovska apo e VLEN-it lidhur me akuzat.











