Studentët marrin pushtetin në Serbi: Integrimi në BE vazhdon, për Rusinë do të vendoset me referendum
Serbia do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian, dialogu me Kosovën do të vijojë, ndërsa vendimin për vendosjen e mundshme të sanksioneve ndaj Rusisë do ta marrin qytetarët përmes referendumit. Këto janë disa nga drejtimet kryesore të politikës së jashtme të Listës Studentore, përfaqësuesit e së cilës paralajmërojnë edhe vizita në Moskë dhe Uashington, me synimin për të negociuar marrëveshje afatgjata ekonomike dhe energjetike.
Pas konfirmimit se Lista Studentore do të marrë drejtimin e pushtetit në Serbi, është hapur debati nëse qeveria e re do ta ruajë politikën e deritanishme të diplomacisë me „katër shtylla“ – Rusinë, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinën – apo do të ndryshojë strategjinë e jashtme të vendit.
Sipas qëndrimeve të deritanishme të përfaqësuesve të saj, Serbia synon të ruajë marrëdhëniet me aktorët kryesorë ndërkombëtarë, ndërsa çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë planifikon t’ua nënshtrojë qytetarëve përmes një referendumi.
Integrimi evropian mbetet prioritet
Para zgjedhjeve, përfaqësuesit e Listës Studentore deklaruan se pozicioni ndërkombëtar i Serbisë nuk do të pësojë ndryshime të mëdha, pasi prioritet do të jenë reformat e brendshme, veçanërisht në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Në një intervistë për RTS, Ilija Srdanović, i cili renditet i pari në Listën Studentore, deklaroi dy ditë pas zgjedhjeve se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian.
Ai rikujtoi se Serbia e ka marrë përsipër procesin e anëtarësimit në BE që në vitin 2000, duke theksuar se ky proces do të vazhdojë.
Srdanović kritikoi gjithashtu pushtetin e mëparshëm, duke pretenduar se gjatë 15 viteve të fundit mbështetja e qytetarëve për integrimin evropian është ulur për 20 për qind. Sipas tij, synimi i qeverisë së re do të jetë që të shmangë një zhvillim të tillë.
Ai paralajmëroi edhe harmonizimin e politikave të brendshme shtetërore me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me BE-në, të cilët lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
Ndër fushat ku pritet të përqendrohet vëmendja, ai përmendi respektimin e të drejtave dhe barazinë, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve dhe lirinë e mediave.
Ndër të parët që përshëndetën fitoren e Listës Studentore ishin edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Në mbrëmjen e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, urime përcollën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, si dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
„Në Serbi mund të fillojë një kapitull i ri, ndërsa dyert e BE-së janë të hapura“, deklaroi komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Gazeta Flaka











