Alarm në Kroaci: Gjysmë milioni litra naftë derdhen nga një naftësjellës
Rreth 500 mijë litra naftë kanë rrjedhur nga një naftësjellës në Kroaci, në segmentin mes Sisakut dhe Slavonski Brodit, njoftoi kompania „Jadranski naftovod“ (JANAF). Deri më tani janë mbledhur rreth 200 mijë litra, ndërsa kompania siguron se nuk ka rrezik për banorët e zonës apo për furnizimin me ujë të pijshëm.
Incidenti ka ndodhur pranë fshatit Prvça, në kilometrin e 88-të të naftësjellësit. Dëmtimi është shkaktuar gjatë punimeve për rinovim, kur një makinë pune ka prekur pajisjet e instalimit dhe ka shkaktuar defektin. Punimet po kryheshin nga një kompani e jashtme, ndërsa rrjedhja ka zgjatur nga dita e premte deri mbrëmjen e djeshme.
Transporti i naftës u ndërpre menjëherë
Pas konstatimit të dëmtimit, JANAF ndërpreu menjëherë transportin e naftës, duke mbyllur stacionet bllokuese në Okuçani dhe Lužani.
Në zonën e prekur u dërguan makineritë dhe pajisjet e nevojshme për gërmim, pastrim dhe grumbullim të naftës së derdhur. Deri tani janë mbledhur rreth 200 mijë litra, ndërsa largimi i sasisë së mbetur do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.
Nga kompania bëjnë të ditur se era e pakëndshme për momentin është e kufizuar në vendin ku ka ndodhur rrjedhja dhe pritet të zvogëlohet gradualisht me përparimin e punimeve për sanimin e dëmit.
Pas përfundimit të procedurës, nafta e mbledhur do të rikthehet në sistemin e kompanisë.
Toka e ndotur do të largohet dhe zëvendësohet
Pas grumbullimit të naftës, faza e radhës e sanimit do të përfshijë largimin e dheut të ndotur dhe zëvendësimin e tij me material të pastër. Qëllimi është që zona të rikthehet në gjendjen e mëparshme.
JANAF vlerëson se për përfundimin e plotë të aktiviteteve të sanimit do të nevojiten rreth dhjetë ditë.
Ndërkohë, pritet të përcaktohet përgjegjësia për dëmtimin e naftësjellësit, i cili për momentin mbetet jashtë funksionit. Gazeta Flaka
Burimi: JANAF. Përgatiti: Flaka Media.











