Kroacia humbi mbi 63 mijë nxënës në 13 vite, rënia më e madhe në qarkun e Vukovar-Srijemit
Kroacia ka humbur 63.918 nxënës në shkollat fillore dhe të mesme gjatë 13 viteve të fundit shkollore, që përfaqëson një rënie prej 12,5 për qind të numrit të përgjithshëm të nxënësve. Më së shumti është goditur qarku i Vukovar-Srijemit, ku numri i nxënësve është zvogëluar për më shumë se një të tretën.
Rritje të numrit të nxënësve gjatë kësaj periudhe janë regjistruar vetëm në qytetin e Zagrebit dhe në qarkun e Istrës, tregojnë të dhënat e Regjistrit Elektronik të Shkollave (ŠeR) të Ministrisë kroate të Shkencës, Arsimit dhe Rinisë, transmeton agjencia Hina.
Në qytetin e Zagrebit numri i nxënësve është rritur për 2,16 për qind, përkatësisht me 2.095 nxënës, ndërsa në qarkun e Istrës rritja është 1,87 për qind ose 399 nxënës, krahasuar me vitin shkollor 2013/2014.
Të dhënat tregojnë se rënia është evidentuar në të dy nivelet e arsimit. Numri i djemve është zvogëluar për 12,88 për qind, ndërsa ai i vajzave për 12,22 për qind.
Megjithatë, gjatë viteve të fundit shkollore, ritmi i rënies është ngadalësuar ndjeshëm. Në periudhën mes viteve shkollore 2014/2015 dhe 2015/2016, numri i nxënësve ishte zvogëluar për 11.992, ndërsa në krahasimin e fundit, mes viteve shkollore 2025/2026 dhe 2026/2027, rënia ishte vetëm 537 nxënës.
Burimi: Hina. Përgatiti: Flaka Media.











