Nga shtegu pranë Vardarit deri te bastisja në shtëpi, policia sekuestron drogë dhe para
Marihuanë pranë Vardarit, bastisje në shtëpinë e një 19-vjeçari në Shkup – sekuestrohen edhe para dhe substancë pluhur
Një 19-vjeçar nga Shkupi është privuar nga liria në lagjen Gjorçe Petrov, pasi policia i ka gjetur marihuanë gjatë një kontrolli në një shteg këmbësorësh pranë lumit Vardar.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), arrestimi është kryer dje, në orën 18:40, nga zyrtarë të Njësisë për Tregti të Paligjshme me Drogë dhe Armë pranë SPB Shkup. Gjatë kontrollit personal, te 19-vjeçari me inicialet F.S. është gjetur dhe sekuestruar marihuanë.
Rasti nuk është ndalur vetëm te kontrolli në terren. Më vonë, me urdhër gjykate dhe në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike pranë MPB-së, është kryer bastisje në shtëpinë dhe hapësirat e tjera që i shfrytëzonte i riu.
Gjatë bastisjes, policia ka sekuestruar edhe një substancë të bardhë në formë pluhuri, si dhe para. Megjithatë, në njoftimin zyrtar nuk specifikohet lloji apo përbërja e substancës së gjetur.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj 19-vjeçarit do të parashtrohet kallëzim përkatës. Gazeta Flaka











