Irani mohon përfshirjen në sulmet kibernetike ndaj frigoriferëve në supermarketet franceze
Parisi akuzon Gardën Revolucionare iraniane për sulme ndaj 700 pikave të shpërndarjes së ushqimit, ndërsa Teherani i cilëson pretendimet të pabazuara dhe të njëanshme. Hetimet franceze flasin edhe për rreth 20 zjarre të shkaktuara nga sulmet.
Irani ka hedhur poshtë akuzat e Francës se qëndron pas një serie sulmesh kibernetike ndaj frigoriferëve në supermarketet franceze, duke i cilësuar pretendimet e Parisit si të pabazuara dhe të njëanshme.
Ministria e Jashtme iraniane ka dënuar atë që e quajti „politikë të vjetruar të Francës për drejtimin e akuzave ndaj Iranit“, duke mohuar çdo përgjegjësi për sulmet, raporton „Politico“.
Ministri francez për Tranzicionin Digjital, Jean-Noël Barrot, deklaroi se Garda Revolucionare Islamike e Iranit qëndron pas sulmeve të paprecedenta kibernetike ndaj disa zinxhirëve tregtarë gjatë muajit të kaluar. Sipas tij, sulmet kanë prekur rreth 700 pika të shpërndarjes së ushqimit.
Barrot theksoi se Franca nuk përjashton asnjë mundësi në përgjigjen ndaj këtyre sulmeve.
„Do të ndërmarrim të gjitha masat që i konsiderojmë të përshtatshme dhe të nevojshme për të parandaluar sulmet e ardhshme dhe për të ndëshkuar përgjegjësit për këtë agresion të papranueshëm, përfshirë edhe masa që nuk do t’i bëjmë publike“, deklaroi ministri.
Rreth 20 zjarre si pasojë e sulmeve
Pas akuzave, ambasadori iranian në Francë është thirrur në Ministrinë e Jashtme franceze, ndërsa Prokuroria e Parisit ka njoftuar hapjen e një hetimi për sulmet kibernetike.
Sipas hetuesve francezë, sulmet janë kryer nga një njësi iraniane e specializuar për operacione kibernetike, e njohur si „Shahid Kaveh“, e cila dyshohet se është e lidhur me Gardën Revolucionare.
Prokuroria në Paris bëri të ditur se hetimi do të përqendrohet edhe te drejtuesi i kësaj njësie. Autoritetet franceze kanë raportuar se sulmet kanë shkaktuar rreth 20 zjarre.
Sipas përshkrimit të hetuesve, sulmuesit kanë marrë kontrollin në distancë të pajisjeve përmes ndërfaqeve në internet, duke aktivizuar cikle të pazakonta të shkrirjes së akullit me kohëzgjatje të papërcaktuar.
Ata gjithashtu kanë çaktivizuar alarmet e sigurisë së sensorëve, të cilët duhej të aktivizoheshin në momentin kur temperatura kalonte kufirin e përcaktuar. Kjo ka krijuar rrezik për sigurinë e produkteve ushqimore dhe pajisjeve.
BE-ja paralajmëron përgjigje të vendosur
Çështja pritet të diskutohet edhe në nivel të Bashkimit Evropian. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, njoftoi se sulmet e dyshuara iraniane do të jenë pjesë e agjendës së takimit të Këshillit për Punë të Jashtme javën e ardhshme.
Ajo theksoi se përgjigjja evropiane duhet të jetë e vendosur, por vetëm pasi të konfirmohet se kush qëndron pas sulmeve.
Edhe Komisioni Evropian ka nisur shqyrtimin e rastit. Komisioneri evropian për Bujqësi dhe Ushqim, Christophe Hansen, i përshkroi sulmet si „një përpjekje të qëllimshme për të dëmtuar zinxhirin tonë të furnizimit me ushqime“.
Ndërkohë, Teherani vazhdon të mohojë përfshirjen, duke e cilësuar reagimin francez si pjesë të një politike të përsëritur të akuzave ndaj Iranit.
Hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësinë për sulmet, të cilat kanë ngritur shqetësime të reja për cenueshmërinë e infrastrukturës ushqimore dhe rrezikun që paraqesin operacionet kibernetike ndaj sistemeve të përditshme të furnizimit.











