221 kundërvajtje në trafik brenda pesë orëve, policia ndëshkon këmbësorë dhe shoferë
Kontrolli i përforcuar i komunikacionit u zhvillua më 11 nëntor në të gjithë vendin, me fokus të veçantë sigurinë e këmbësorëve.
Policia ka shqiptuar sanksione për gjithsej 221 kundërvajtje gjatë një aksioni të përforcuar për sigurinë e këmbësorëve, të realizuar më 11 nëntor në territorin e gjithë Maqedonisë së Veriut.
Kontrolli zgjati pesë orë, nga ora 08:00 deri në 13:00, ndërsa pjesa më e madhe e shkeljeve u evidentua te këmbësorët që kalonin rrugën në mënyrë të pasigurt.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 147 këmbësorë janë ndëshkuar për kalim të rrugës jashtë vendkalimeve të shënuara për këmbësorë. Ndërkaq, 25 shoferë janë sanksionuar për mosdhënie të përparësisë së kalimit këmbësorëve në vendkalimet e shënuara.
Përveç këtyre shkeljeve, policia ka ndëshkuar edhe 179 shoferë për kundërvajtje të tjera në trafik.
Nga MPB-ja u bëjnë thirrje këmbësorëve që rrugën ta kalojnë vetëm në vendkalimet e shënuara, ndërsa shoferëve që ta përshtatin shpejtësinë dhe t’u mundësojnë këmbësorëve kalim të sigurt.
Ministria thekson se siguria e këmbësorëve është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion dhe paralajmëron se kontrollet e këtij lloji do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme. Flaka











