Revizioni shtetëror zbulon dobësi serioze në Agjencinë e Punësimit: Vetëm 2 nga 7 vende pune në sektorin e TI-së janë plotësuar
Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar një sërë dobësish në menaxhimin e teknologjisë informative dhe sigurinë e të dhënave në Agjencinë e Punësimit të Maqedonisë së Veriut. Sipas raportit të revizionit, institucioni ka kapacitete të kufizuara njerëzore dhe teknike, ndërsa kontrollet për mbrojtjen e informacionit dhe vazhdimësinë e funksionimit të sistemeve kanë nevojë për përmirësim.
Revizioni, i cili përfshin periudhën 2021–2024, ka vlerësuar efektivitetin e masave dhe kontrolleve të sigurisë në sistemin informativ të Agjencisë, duke konstatuar dobësi që rrezikojnë mbrojtjen e informacionit dhe burimeve të TI-së.
Plotësuar vetëm 28,57 për qind e vendeve të punës
Një nga problemet kryesore të evidentuara lidhet me mungesën e kuadrit profesional. Nga gjithsej shtatë vende pune të sistematizuara në Sektorin Qendror të Informatikës, janë plotësuar vetëm dy, përkatësisht 28,57 për qind.
“Është konstatuar kapacitet i pamjaftueshëm institucional për menaxhimin e teknologjisë së informacionit”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
Përveç mungesës së stafit, revizioni ka konstatuar se gjatë tri viteve të fundit nuk janë realizuar trajnime për punonjësit e TI-së dhe se institucioni nuk ka program të dokumentuar për zhvillimin profesional të kuadrit, në përputhje me rolet dhe nevojat e tyre.
Sistemi ka mbetur 293 ditë pa kontratë mirëmbajtjeje
Agjencia e Punësimit përdor një sistem elektronik të integruar për menaxhimin e shërbimeve të punësimit, i cili mbështet evidencat, ndërmjetësimin për punësim, masat aktive dhe pagesën e kompensimeve. Ky sistem mbështet funksionimin e selisë qendrore dhe 29 qendrave të punësimit në të gjithë vendin.
Megjithatë, pavarësisht investimeve të realizuara, revizioni ka evidentuar ndërprerje në mbulimin me kontrata për mirëmbajtjen e sistemit.
“Gjatë periudhës së analizuar, sistemi për 293 ditë, përkatësisht 15,7% të periudhës së përfshirë në analizën e kontratave për mirëmbajtje preventive dhe adaptive, nuk ka qenë i mbuluar me kontratë për mirëmbajtje”, theksohet në raport.
Ndërkohë, gjatë periudhës 2020–2025, vlera e përgjithshme e kontratave të realizuara dhe atyre aktuale për infrastrukturën e TI-së, sistemet e sigurisë dhe shërbimet e komunikimit arrin në 171.231 mijë denarë, ose rreth 2,78 milionë euro.
Dobësi në mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë
Raporti evidenton gjithashtu mangësi në menaxhimin e të dhënave personale, kontrollin e qasjeve të përdoruesve dhe sigurinë e rrjetit.
Sipas revizionit, nevojitet përmirësimi i procedurave për ruajtjen, arkivimin dhe fshirjen e të dhënave personale, në përputhje me afatet ligjore.
“Është konstatuar nevoja për forcimin e mekanizmave për kopjimin rezervë dhe rikthimin e të dhënave, si dhe vendosjen dhe testimin e rregullt të planeve për vazhdimësinë e punës”, thuhet në dokument.
Revizorët theksojnë se testimi i rregullt i rikthimit të të dhënave është thelbësor për të shmangur ndërprerjen e shërbimeve në rast të incidenteve ose ngjarjeve të paparashikuara.
Probleme janë evidentuar edhe në kushtet e mbrojtjes fizike të infrastrukturës së TI-së dhe sigurimin e funksionimit të papenguar të pajisjeve.
Revizioni kërkon forcimin e kontrolleve dhe kapaciteteve institucionale
Për tejkalimin e mangësive, Enti Shtetëror i Revizionit ka rekomanduar plotësimin e kapaciteteve njerëzore, përmirësimin e menaxhimit të TI-së, forcimin e kontrolleve të sigurisë dhe vendosjen e mekanizmave më efikasë për kopjimin rezervë dhe rikthimin e të dhënave.
Sipas raportit, zbatimi i rekomandimeve duhet të sigurojë mbrojtje më të mirë të informacionit, stabilitet të sistemeve dhe vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Ndërkohë, më 13 nëntor 2026, drejtori i Agjencisë së Punësimit ka dorëzuar informacione për masat e ndërmarra pas raportit përfundimtar të revizionit, të verifikuara me numër 13–1044/7, të datës 5 nëntor 2026.
Raporti dhe informacionet për masat e ndërmarra janë bashkëngjitur njoftimit të Entit Shtetëror të Revizionit. Flaka














